Aktuale

Tanin: Misioni i UNMIK-u në Kosovë mund të mbyllet vetëm nga OKB-ja

Komisioni për Punë të Jashtme është takuar me Zahir Tanin, përfaqësues Special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së.

Në këtë takim është thënë që misioni i UNMIK-ut në Kosovë mund të mbyllet vetëm nga OKB-ja.

Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Zahir Tanin, pas takimit dy orësh të mbajtur me komisionin për punë të jashtme tha se misioni i UNMIK-ut është vendim i Këshillit të Sigurimit dhe se kjo është arsyeja se pse janë këtu.

Po ashtu, ai tha se do të jenë në Kosovë për aq sa Këshilli i Sigurimit dëshiron që ata të jenë këtu.

 

“Ne biseduam se si mund të punojmë së bashku, siç e dini që kombet e bashkuar janë këtu për të ndihmuar Kosovën, për të ndihmuar popullin e Kosovës , komunitetet, ne kemi qenë këtu që nga fillimi dhe jemi këtu tani për të parë se si mund të punojmë më ngushtë se si mund ti kontribuojmë paqes, stabilitetit, sigurisë së bashku me anëtarët e tjerë internacional si KFORI-n EULEX-in. OKB-ja është një organizatë e cila i përket të gjitha shteteve anëtare e cila reprezenton humanitetin mbrojtjen e paqes dhe sigurisë e cila është arsyeja e ekzistencës së saj pas luftës së dytë botërore. Misioni i unikut është vendim i këshillit të sigurimit dhe kjo është arsyeja pse ne jemi këtu dhe ne do të jemi këtu për aq sa këshilli i sigurimit dëshiron që ne të jemi këtu”, tha ai.

Ndërsa, Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, Elmi Reçica, pas takimit tha se roli i UNMIK-ut në Kosovë, është ai që është përcaktuar në rezolutën 12 44.

“UNMIK-u e ka atë rol çfarë e ka në bazë të rezolutës 12 44 dhe i përgjigjet drejtpërdrejtë sekretarit të përgjithshëm të OKB-së. Në kuadër të kësaj besoj që ne si komision parlamentarë meqë e kemi obligim të merremi dhe të angazhohemi për politikat e jashtme, po ashtu në kuadër të kompetencave dhe të mandatit tonë”, tha ai.

Ndërsa, i pyetur lidhur me kërkesën e Ministrisë së Punëve të Jashtme për përmbylljen e këtij misioni, ai tha se nuk kanë asgjë konkrete nga ministria dhe së shumë shpejtë do ta thirrin në raportimin Ministrin e Punëve të Jashtme.

 

“Nuk kemi asgjë konkrete nga Ministria e Punëve të Jashtme, shpejt do ta thirrim në raportim ministrin e jashtëm dhe ta marrim vesh”, tha ai.

Kurse, Puhie Demaku, anëtare e komisionit nga LVV, pas takimit tha se janë konfirmuar dy shqetësimet e Lëvizjes Vetëvendosje. E para sipas saj është mosefikasiteti i këtyre misioneve në Kosovë.

 

“Janë konfirmuar dy shqetësimet e Lëvizjes Vetëvendosje, e para është do të thotë pa dobishmëria e këtyre lloj misioneve që ekzistojnë në Kosovë dhe efiqenca e tyre ka ra dhe është e panevojshme posaçërisht në këto pas vitet e pavarësisë, kur ne do të duhej të kishim institucione të konsoliduara të cilat e kryejnë punën e vet”, tha ajo.

Shqetësimi i dytë sipas saj është kërkesa e Ministrisë së Punëve të Jashtme e cila ka kërkuar përmbylljen e këtij misioni.

Ajo tha se me këtë kërkesë edhe njëherë është shpërfaqur jo serioziteti i institucioneve të Kosovës, pasi që përmbylljen e këtij misioni mund ta bëjë vetëm Këshilli i Sigurimit.

 

“Shqetësimi tjetër të cilin unë e kam ngritur brenda këtij takimi ka qenë do të thotë edhe kërkesa e ministrisë së jashtme e cila është raportuar ditë më parë për përmbylljen e këtij misioni. Faktikisht është thënë së pari që do të reduktohet dhe më pas të përmbyllet, këtu është shpërfaqur edhe një herë jo serioziteti i institucioneve të Republikës së Kosovës u ka dalë se një gjë të tillë reduktimin dhe përmbylljen mund ta bëjë vetëm këshilli i sigurimit dhe asambleja e përgjithshme e kombeve të bashkuara”, tha ajo.

Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Zahir Tanin, e ka mbajtur këtë takim me Komisionin për Punë të Jashtme në bazë të kërkesës dhe ftesës së këtij komisioni./KP