Aktuale

Të akuzuarit e rastit “Badovci” i kërkojnë Gjykatës që t’i shpallë të pafajshëm

“Pse ne jemi në burg, përderisa Lëvizja Vetëvendosje, e cila e sulmon Parlamentin ndodhet në shtëpi e po ashtu serbi Slobodan Gavriq, i zënë me 13 kg eksploziv, dënohet me 13 vjet burg njëjtë sa ne?”. Me këto fjalë i është drejtuar të martën Gjykatës, Besnik Latifi, i akuzuar për terrorizëm në rastin “Badovci”,shkruan sot Koha Ditore.

Ai dhe katër të akuzuarit e tjerë për terrorizëm janë ulur sërish në karriget e të akuzuarve pranë Gjykatës Themelore të Prishtinës. Pas fillimit të rigjykimit, i kanë kërkuar Gjykatës që t`i lirojë nga akuzat.

Për të dytën herë janë deklaruar të pafajshëm. Besnik Latifi, Gazmend Haliti, Milazim Haxhiaj, Enis Latifi dhe Fehmi Musa, përmes avokatëve të tyre mbrojtës kanë thënë se me të drejtë Gjykata Supreme e ka kthyer rastin në rigjykim, duke pretenduar se nuk kanë kryer kurrfarë vepre penale.