Aktuale

‘Të ndalohen ndërhyrjet në pavarësinë e funksionimit të institucioneve arsimore’

Organizata Studentore Reforma në Universitetin e Prishtinës, ka reaguar ndaj vendimit për largimin e AKA-së nga Regjistri Evropian për Sigurimin e Cilësisë të Arsimit të Lartë (EQAR).

Reagimi i Reformës:

Ky vendim është shumë shqetësues për studentët e Universitetit të Prishtinës dhe sistemin e Arsimit të Lartë në Republikën e Kosovës. Studentët të cilët kanë ambicie që studimet post-diplomike dhe zhvillimin e tyre akademik e profesional ta vazhdojnë jashtë Republikës së Kosovës, nuk do t’i kenë mundësitë që kanë pasur deri më tani.

Kjo është një goditje që i jepet sistemit arsimor në Kosovë për shkak të nderhyrjeve flagrante nga drejtuesit e pa përgjegjshëm të institucioneve relevante, të cilët përmes vendimeve arbitrare dhe të pa menduara mirë bëjnë ndërhyrje direkte në pavarësinë e institucioneve arsimore në Kosovë, siç është rasti me AKA-në.

Andaj, i bëjmë thirrje urgjente kryeministrit, ministrit të Arsimit dhe të gjithë personave tjerë përgjegjës që në një formë apo tjetër kanë ndikuar në krijimin e kësaj situate të dëmshme për sistemin e arsimit universitar në Kosovë, të reflektojnë dh e të merren seriozisht dhe me profesionalizëm me këtë çështje. Të heqin dorë nga realizimi i interesave të tyre politike (partiake), përmes vendimeve të dëmshme dhe në kurriz të studentëve. Të ndalohen menjëherë ndërhyrjet në pavarësinë e funksionimit të institucioneve arsimore, me qëllim të realizimit të politikave ditore dhe interesave partiake e individuale.

 Ne si organizatë studentore do të vazhdojmë që me vigjilencë të përcjellim zhvillimet gjatë ditëve në vijim rreth kësaj çështjeje, në rast se nuk ndërmerren masat e nevojshme për normalizimin dhe ri kthimin e AKA-së aty ku ka qenë, ne do të vazhdojmë me format tjera të reagimit dhe të kërkimit të përgjegjësisë nga përgjegjësit institucional.