Rajon & Botë

Të paktën 50 të vdekur nga vërshimet në Indonezi

Së paku 50 persona kanë vdekur për shkak të vërshimeve në provincën lindore të Papuas në Indonezi.

Vërshimet në Sentani, afër kryeqytetit provincial, Jayapura, janë shkaktuar nga reshjet e mëdha dhe të vazhdueshme të shiut dhe rrëshqitjet e dheut. Raportohet se 59 persona janë lënduar nga kjo gjendje e jashtëzakonshme e motit.

Zëdhënësi i Agjencisë Kombëtare të Fatkeqësive, Sutopo Nugroho, ka njoftuar se shumë shtëpi janë dëmtuar nga këto vërshime. “Numri i viktimave dhe shtëpive të dëmtuara ka gjasa të rritet, ndërsa ekipet e shpëtimit po përpiqen të shkojnë në zonat e prekura”, ka thënë ai.

“Ekipet e shpëtimit janë duke i zhvendosur njerëzit nga zonat e dëmtuara nga vërshimet, ndonëse ata nuk kanë mundur të arrijnë në të gjitha vendet për shkak të bllokimit të rrugëve me drunj të rrëzuar, gurë dhe baltë”, shtoi Nugroho.

Lilis Hastuti, një banor i rajonit të goditur nga vërshimet, ka thënë se shiu ka filluar para një nate dhe ka vazhduar deri në orët e para të ditës tjetër. “Shtëpia jonë është vërshuar me baltë të trashë. I morëm shpejt gjërat e çmueshme dhe shkuam në shtëpinë e fqinjëve për t’u strehuar”, shtoi ai, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.