Aktuale

Do të rinumërohen edhe 117 kuti me vota

Pas ankesave që janë dërguar në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe parashtresa do të rinumërohen edhe 117 kuti.

Mul Desku nga PZAP tha se ky institucion ka pranuar nga kandidatët 66 ankesa. Sipas tij 40 nga këto ankesa janë miratuar dhe 26 ankesa janë refuzuar si të pabazuara .

Për 18 ankesa PZAP ka marrë vendim dhe ka urdhëruar KQZ në që të bëjë rinumërimin e 117 kutive të votimit si dhe është marrë vendim që 14 kryesuesve të vendvotimeve për 5 vite t’iu ndalohet e drejta për të qenë pjesë administrative e zgjedhjeve të organizuara nga KQZ ja.

“Këto raste do të dërgohen në zyrën e prokurorit për hetime të mëtejme. Nga PDK janë 23 ankesa. Prej tyre janë miratuar 20 dhe 3 janë refuzuar. Koalicioni LDK- AKR-Alternativa 19 ankesa, 9 janë miratuar ndërsa 10 janë refuzuar. Vetëvendosje ka paraqitur 2 ankesa, 1 është miratuar dhe 1 është refuzuar. Gjithsej 66 ankesa. Palët kanë te drejtë të ankohen në Gjykatën Supreme brenda 24 orëve”, tha Desku.

Sipas tij 70 përqind të ankesave janë hetuar sepse ka pasur bazë për to. Ndërsa 26 tjera janë refuzuar si të pabaza . Nga hetimi që është bërë 117 kuti do të rinumërohen në QNR.

Ndërsa Adnan Konushevci tha se asnjë ankesë nuk është parashtruar për votat e pavlefshme./KosovaPress/