Arsim & Kulturë

Testi ndërkombëtar Pisa fillon sot në Kosovë

Testi ndërkombëtar PISA fillon sot në Kosovë, i cili do të mbahet deri më 5 maj, ku në këtë testim do të marrin pjesë 5 mijë e 370 nxënës nga 211 shkolla nga e gjithë Kosova.

Testi fillon në komunën e Prizrenit për të vazhduar në të gjitha komunat e tjera. Ministri Bytyqi, i bëri thirrje Sindikatës së Arsimit për të mos filluar grevën e paralajmëruar, në mënyrë që të mos ndërpritet ky proces.

Sipas rregullave të organizimit të testit ndërkombëtar PISA, nuk lejohet të bëhen publike emrat e shkollave dhe nxënësve që i nënshtrohen këtij testi. Ministri i Arsimit, Shyqyri Bytyqi, tha se për këtë vit është bërë një përgatitje shumë e mirë, ku secili nxënës e di peshën dhe rëndësinë e testit PISA. Me këtë rast, ai i bëri thirrje edhe Sindikatës së Arsimit që të mos fillojë grevën, për të mos e dëmtuar këtë proces.

“Sot nxënësit tanë e dinë saktësisht se nuk janë duke u futur në testin PISA për vetveten, por për shtetin e Kosovës. Kemi kërkuar që të mos dëmtohet ky proces sepse është një proces i jashtëzakonshëm. Normalisht kemi edhe testin e maturës, që po ashtu greva mund ta dëmtojë.”

Ministri Bytyqi tha se janë përpjekur vazhdimisht që Ligji për punëtorët e arsimit të viteve ’90-ta të procedohet sa më shpejt në Kuvend, por siç tha ka implikime buxhetore.

“E kemi informuar SBAShK-un që edhe në pjesën e shpenzimeve afatmesme është planifikuar që të kemi buxhet për Ligjin e arsimit shqip të viteve ’90-ta. Kemi kërkuar mirëkuptim që Qeveria është duke punuar, është duke gjetur masa sa më të shpejta që ligji të shkojë në Parlament.”

Ministri i Arsimit, u shpreh optimist se gjatë kësaj jave do të gjendet një zgjidhje për të mos filluar grevat.

Ndërkohë, nga ana tjetër, Sindikata është shprehur e vendosur se nëse Ligji nuk shkon në Kuvend para datës 13, atëherë grevat do të fillojnë në një afat të pacaktuar. Sindikalistët thonë se për dëmtimin e testit PISA dhe maturën, duhet ta mbajë përgjegjësi Qeveria.

Për testin PISA, Ministria e Arsimit pat formuar një komision, i cili me planin dinamik organizoi mbajtjen e dy testeve pilot në të gjitha shkollat e Kosovës.

Përgatitjet u bënë me qëllim ngritjen e vetëdijes së nxënësve dhe mësimdhënësve për rëndësinë e testit PISA. Ky test sivjet organizohet në mënyrë digjitale.