Aktuale

Tetovë, mbi 200 punëtor helmohen nga ushqimi

Helmim masiv ka ndodhur në fabrikën “Lear” të Tetovës. 220 nga gjithsej 264 punëtorë të cilët kanë qenë në punë në ndërrimin e natës janë helmuar nga ushqimi.

Shumica e tyre, 183 vetë kanë kërkuar ndihmë në spitalin klinik të Tetovës ndërsa të tjerët janë trajtuar në spitalin e Gostivarit.

“Dyshohet për helmim nga ndonjë ushqim dhe pasi e kemi pranuar rastin e kemi lajmëruar në institutin e shëndetit publik dhe në koordinim me agjencisë për kontroll të ushqimit dhe inspektoratin sanitar janë në terren punojnë dhe presim rezultatet e para se çka ka ndodhur”, deklaroi Florin Besimi drejtor i Spitalit Klinik Tetovë.

Punëtorët menjëherë pas konsumimit të ushqimit janë ankuar për dhembje të stomakut, diarre e të vjella, por janë jashtë rrezikut për jetën dhe pothuajse të gjithë janë lëshuar për kurim shtëpiak.

Gjatë ditës është formuar një komision i përbërë nga përfaqësues të Agjencisë së Ushqimeve, Qendrës së Shëndetit Publik dhe Inspektoratit Sanitar dhe janë duke u kryer hetimet për shkaqet e helmimit.