Aktuale

Thaçi e Daka diskutuan për organizmin e zgjedhjeve

Zyra e Presidencës ka dhënë detaje pas takimit të sotëm të presidentit Hashim Thaçi me kryetaren e KQZ-së, Valdete Daka, të cilët thuhet se diskutuan lidhur me përgatitjet për organizmin e zgjedhjeve, pas paralajmërimit te partive politike parlamentare për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, nesër me 22 gusht.

FaktePlus nga burimet e saj mori vesh dhe raportoi se një takim i tillë mes presidentit Thaçi dhe kryetares Daka, ka ndodhur sot në orët e paradites në zyret e Presidencës.

E pas kësaj ka lëshuar një njoftim për media edhe Zyra e Presidencës, ku janë dhënë detaje për takimin.

Presidenti Thaçi ka theksuar se menjëherë pas shpërndarjes së Kuvendit dhe pas dekretimit të datës së zgjedhjeve, është e rëndësishme që të bëhen përgatitjet për të siguruar një proces fer dhe demokratik të zgjedhjeve.

“Duhet të bëhen të gjitha përgatitjet teknike, profesionale si dhe të sigurohen mjetet buxhetore, për të organizuar një proces zgjedhor, i cili përmbush kriteret më të larta demokratike”, citohet të ketë thënë Thaçi.

Tutje presidenti ka shtuar se edhe në këto zgjedhje duhet të ketë monitorim profesional nga organizata ndërkombëtare, organizata joqeveritare dhe mediat.

Kurse kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka ka thënë se tashmë kanë filluar të bëhen përgatitjet teknike për organizimin e zgjedhjeve demokratike në Kosovë, pas shpërndarjes së Kuvendit dhe pas dekretimit të datës së zgjedhjeve nga ana e Presidentit./FaktePlus