Aktuale

Thaçi: Kemi progres në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit

Presidenti I Kosovës Hashim Thaçi thotë se Agjencia Kundër Korrupsionit është një prej mekanizmave më të fuqishëm në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, prandaj nevojitet një bashkëpunim edhe më i madh i të gjitha institucioneve dhe autoriteteve hetuese e prokuroriale, me këtë institucion.

Ai gjatë një takimi me kreun  e Agjencisë Kundër Korrupsionit në Kosovë, Shaip Havollin, tha se Kosova ka shënuar progress në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Kemi progres në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, por gjithnjë ekziston mundësia që të bëhet edhe më shumë”, ka thënë Thaçi.

Nga ana tjetër, drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Shaip Havolli, e ka informuar presidentin Thaçi për angazhimin e tij prej marrjes së kësaj detyre të re.

Havolli ka thënë se agjencia po angazhohet maksimalisht për zbatimin e ligjit dhe për luftimin dhe parandalimin e korrupsionit në vend.

Presidenti Thaçi dhe kreu i Agjencisë Kundër Korrupsionit në Kosovë biseduan edhe për shtimin e përpjekjeve, që Kosova të përfshihet në mekanizmat ndërkombëtar antikorrupsion.

“Kosova duhet të përfshihet në mekanizmat ndërkombëtar antikorrupsion”, ka thënë Thaçi, sipas komunikatës për media nga presidenca. /KosovaPress/