Aktuale

Thaçi kërkon njohjen nga Sudani

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka takuar ministrin e Punëve të Jashtme të Sudanit, Ibrahim Ghandour, nga i cili ka kërkuar njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Kreu i shtetit tha se pavarësia e Kosovës është në harmoni të plotë me të drejtën ndërkombëtare, gjë të cilën, siç theksoi, edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e ka vërtetuar.

Ai tha se Kosova po e konsolidon pozitën e saj në arenën politike ndërkombëtare, se po e dëshmon veten si faktor paqeje e stabiliteti në rajon.

Presidenti Thaçi theksoi se procesi i integrimeve euro-atlantike Kosovës dhe anëtarësimi i saj në organizata të rëndësishme botërore dëshmojnë se Kosova duhet të pranohet nga i gjithë komuniteti ndërkombëtar.

Thaçi e ftoi ministrin e Jashtëm të Sudanit, Ibrahim Ghandour, për intensifikimin e kontakteve mes qeverive përkatëse, e që, sipas tij, do të duhej të kurorëzoheshin me njohjen e Kosovës nga Sudani.