Aktuale

Thaci: NATO dhe partnerët duhet të na ndihmojnë ta bëjmë ushtrinë

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi tha se iniciativa e tij për projektligjin për FSK-në e ka bërë në përputhje me kërkesat kushtetuese dhe në koordinim të plotë me institucionet shtetërore të Kosovës.

Presidenti Thaçi tha se aspiratën e transformimit të FSK-së në ushtri e kanë përkrahur edhe partnerët ndërkombëtarë.

Duke folur në tryezën “Misioni ushtarak për FSK-në: rruga përpara” organizuar nga Fridrich Ebert Stiftung dhe SPRC Thaçi tha se FSK-ja ka përmbushur të gjitha detyrat dhe kërkesat dhe tani janë krijuar kushtet që FSK të lëvizë tutje.

“Tani e tri vjet FSK është e gatshme për transformimin që të bëhet ushtri. Është urgjente që menjëherë që të marrin hapa që të avancojmë misionin dhe detyrat e FSK që të mbrohemi nga kërcënimet aktuale për Kosovën dhe rajonin”, tha presidenti.

Ai tha se ndonëse ka filluar dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, kjo e fundit ndaj Kosovës ruan politikat e njëjta si përpara, të cilat sipas Thaçit kanë shkaktuar luftë dhe gjenocid.

“Serbia nuk është partner konstruktiv por paraqet kërcënim për rajonin. Vazhdon ta pengojë Kosovën në çdo hap. Dëshmitë e fundit janë provokimi me trenin dhe murin. Të gjitha këto janë kërcënime të drejtpërdrejta për Kosovën dhe tërë rajonin. Këto hapa nuk mund te arsyetohen në asnjë mënyrë”, tha Thaçi.

Në këtë tryezë ka folur edhe për rrugën që FSK do të bëhej FAK, nëpërmes ndryshimeve kushtetuese për të cilat duhen votat e 2/ 3 të deputetëve jo shumicë.

Sipas tij kjo ka qenë rruga e preferuar, mirëpo përfaqësuesit politik të një komuniteti, sipas presidentit nuk kanë qenë të gatshëm ta përkrahin transformimin e FSK-së.

“Anëtarët e Listës Serbe kanë treguar se janë të penguar nga Beogradi nga i cili kanë urdhër për të mos votuar formimin e ushtrisë së Kosovës. Nuk mund të pranojmë që të konsultohemi dhe koordinohemi për çështje të interesit strategjik me Serbinë. E kemi për detyrë kushtetuese të formojmë kapacitetet e domosdoshme për ruajtjen e sovranitetit tone. Andaj ishte urgjente të lëvizim në transformimin e FSK-së në ushtri”, tha Thaçi.

Sipas tij Kosova do të ruajë me çdo kusht partneritetin me bashkësinë ndërkombëtare veçmas me SHBA të.

Ai po ashtu tha se edhe NATO dhe partnerët strategjikë duhet ta ndihmojnë Kosovën gjatë këtij transformimi ndërsa përgëzoi spektrin politik për unitet kur është fjala te projektligji për FSK-në.

Thaçi më tej tha se është i bindur se deputetët pa dallim partie nuk do ta lënë Kosovën pa ushtri pasi që siç tha ai “kjo nuk është ide personale por institucionale”./KosovaPress/