Aktuale

Thaçi përplaset me Vuçiqin: Kërkimi i kompromisit pa na njohur si shtet është provokim

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, u është kundërpërgjigjur deklarimeve të Aleksandër Vuçiqit se Serbia kërkon kompromis me Kosovën, duke përjashtuar njohjen reciproke.

Kreu i shtetit të Kosovës ka thënë se deklarata të tilla të Vuçiqit janë provokime, dhe sipas tij në tryezën e dialogut dy shtetet mund të ulen vetëm si të barabarta.

“Mesazhet nga Beogradi që duhet të kemi një kompromis pa njohje të Republikës së Kosovës janë provokime. Pavarësia e Kosovës është një kompromis. Dialogu është i mundur bazuar në një parim: Dy shtetet duhet të njohin njëra-tjetrën si fqinj të barabartë, që lëvizin drejt integrimit në familjen Euro-Atlantike”, ka shkruar Thaçi në twitter.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç përgjatë vizitës në Greqi ka dhënë një intervistë për gazetën e njohur greke “Kathimerini”, ku ka folur për çështjen e gjetjes së një zgjidhje finale me Kosovën dhe gjithashtu edhe për idenë e shumë diskutuar të korrigjimit të kufijve e shkëmbimit të territoreve.

Vuçiç ka thënë se janë të gatshëm të negociojnë për gjetjen e një zgjidhje kompromisi, por sipas tij njohja e Kosovës nuk mund të ndodhë.

I pyetur rreth idesë së korrigjimit të kufijve si zgjidhje e mundshme për ngërçin me Kosovën, Vuçiç është përgjigjur gjithashtu me një pyetje.

“Cilët kufij do të diskutohen, atë të njohur nga Kina, Rusia, Greqia e Spanja, apo ata të njohur nga Franca e Gjermania”, ka thënë Vuçiç, raporton “Gazeta Express”.

Për idenë e shkëmbimit të territoreve, Vuçiç ka deklaruar se Serbia gjithmonë ka qenë në kërkim të një kompromisi dhe që nuk dëshiron të imponojë një zgjidhje që do të ishte në interes vetëm të njërës palë.

“Ne jemi gati dhe të hapur që të negociojmë për një zgjidhje kompromisi”, ka potencuar Vuçiq.

Disa kanë folur për modele të ndryshme, por s’kanë ofruar neve asgjë specifike. Nëse dikush mendon që dikush do të vijë në Beograd dhe do të na kërkojë neve ta njohim Kosovën si një shtet të pavarur, një gjë e tillë nuk do të ndodhë”, ka shtuar kreu i shtetit serb.

Ndër të tjera Vuçiç ka thënë se e vetmja kërkesë për rikthim në dialog është heqja e taksës 100 %.

“Nuk do të dëgjoni nga unë ndonjë kërkesë tjetër, përveç asaj që dëshirojmë heqjen e taksës 100 %. Ne duam të ulemi në tavolinë të diskutojmë dhe të provojmë të gjejmë një zgjidhje”, ka pohuar Vuçiç për “Kathimerini”. /Front Online/

the authorGazetaKNN