Aktuale

Thaçi: Punëtorët e KEK-ut paralajmërojnë ndaljen e prodhimit, kanë pakënaqësi me Ligjin e Pagave

Sindikata e punëtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës, nuk është takuar me asnjë deputet të Kuvendit të Kosovës, për të diskutuar rreth Ligjit për Paga. Ky ligj, si i tillë, nuk e rregullon si duhet pagën e këtyre punëtorëve, andaj edhe hyrja në fuqi e tij, do të sjellë pasoja për energjinë në Kosovë.

Drejtori Menaxhues i KEK-ut, Njazi Thaçi, thotë se Ligji i Pagave i miratuar në Kuvendin e Kosovës, i dëmton punëtorët e KEK-ut. Sipas tij, të ndryshme kanë qenë deklaratat në Kuvend me atë që është e shkruar në ligj.

“Ligji i Pagave aktual i cili është miratuar në Kuvend, realisht i dëmton punëtorët e KEK-ut ma aq sa e kom pa ligjin të shkruar në letër. Diçka tjetër është fol në Kuvend e diçka tjetër është e shkruar në Ligj. Nga menaxhmenti i KEK-ut nuk është kontaktuar asnjë prej deputetëve apo prej parlamentarëve që me diskutuar ose me i pa vështirësi të cilat ne i kemi. Me sa unë kam informata as sindikata nuk është kontaktuar ndonjëherë më parë”, tha Thaçi.

Kundrejt këtyre pakënaqësive, Thaçi pohon se punëtorët kanë paralajmëruar edhe greva deri në ndaljen e prodhimit. Sipas tij, ata nuk duhet të krahasohen me shërbyesit civil, pasi puna e tyre është tejet e vështirë.

“Nuk e besoj që punëtorët e KEK-ut duhet të krahasohen me shërbyesit civil, ata nuk janë shërbyes civil ata kanë një punë të vështirë, punojnë me ndërrime në kushte të rënda. Duke e parë që po zhvillohet tregu energjetike, apo futen kompani të reja në treg në të ardhmen do të jetë shumë e vështirë me qet ligj aktual neve t’i mbajmë kuadrot apo ekspertët në punë. Kem paralajmërime prej sindikatës që nëse ligji futet në fuqi ata kanë protesta deri ta ndalja e prodhimit, për këtë janë njoftuar edhe institucionet qeveritare”, pohoi drejtori Menaxhues i KEK-ut për Ekonomia Online.

Pavarësisht këtyre sfidave që Thaçi thotë t’i kenë punëtorët e kësaj korporate, ai pohon për herë të parë asnjë bllok i Kosovës B, nuk ka pasur rënie, çka ka bërë që të kalohet një dimër pa vështirësi.

“Historikisht nuk ka ndodh ndonjëherë deri më sot në KEK që një bllok i Kosovës B siç është blloku B2 të mos ketë ndalje që nga 24 shtatori i vitit të kaluar, pra që nga kjo datë nuk ka pas asnjë rënie të këtij blloku”.

“Po ashtu edhe blloku B1 i Kosovës B që nga 13 dhjetori nuk ka pas asnjë rënie dhe kemi kaluar një dimër pa vështirësi. Kjo do të thotë që KEK-u ka kaluar një vit me suksese dhe me një performancë jashtëzakonisht të mirë”, bëri të ditur Thaçi.

Shpenzimet operative janë ulur deri në 9 për qind. Madje sipas Thaçit, edhe fitimi është rritur mbi 2 për qind për dallim me vitin e kaluar.

“Kemi arritur që shpenzimet operative t’i ulim deri në 9%, kemi arritur që investimet në shpenzime kapitale të shkojnë nga 10 milionë në 52 milionë. Kemi kaluar planin e prodhimit sipas bilancit energjetik mbi 8%. Kemi arritur që fitimin ta rrisim 2% mbi vitin e kaluar”.

“Deri më datën 15 prill e kemi këtë planë që e kemi, dy blloqe në Kosovën A dhe dy në Kosovën B, konform bilancit energjetik. Në datën 15 dhjetor nalet blloku B2 i Kosovës B për shkak se shkon në remont të paraparë vjetor për 4 muaj”, tha Thaçi.

Energjia solare do të jetë fokus i menaxhmetit të KEK-ut. Aktualisht sipas Thaçit, janë hapur procedurat e prokurimit për përzgjedhjen e kontraktonit për studimin e fizibilitetit të kësaj energjie, ku do të prodhohet fillimisht në 80 hektarë.

“Aktualisht i kemi hapur procedurat e prokurimit për përzgjedhjen e kontraktorit për studimin e fizibilitetit të prodhimit të kësaj energjie. Parashihet që në kodrat e hirit siç i themi ne miniera aty ku është nxjerrë thëngjilli janë fillimisht 80 hektarë të fillohet me prodhimin e kësaj energjie për arsyeje se KEK është ndërmarrje publike, infrastruktura është më e mira në Kosovë”, tha Thaçi.

Projekt tjetër për përmasimin e ambientit është edhe ndërrimi i filtrave, i cili është një grant i Bashkimit Evropian ndërsa pjesa teknike do t’i takojë KEK-ut.

“Është një grand nga BE për filtrat edhe pjesët e denoksid karbonit, ndërsa pjesët teknike do të investohen nga KEK-u në mënyrë që ët shfrytëzohet koha e ndaljes së blloqeve që në atë kohë t’i kryejmë edhe ne punët teknike në mënyrë që t’i rritet jetëgjatësia Kosovës B edhe për 25 vitet e ardhshme”, u shpreh Thaçi.

Thaçi ka bërë të ditur se Miniera e Re e obligon KEK-un që të investojë 250-300 milionë euro. Për këtë vlerë, ai tha se vështirë që do të mund ta përballojë KEK-u. Sipas tij, nëse nuk ndihmon Qeveria ose Zyra e Rregullatorit, mund të rritet çmimi i energjisë elektrike për pjesën e humbjeve.

“Miniera e re fillon sivjet faza e parë e cila fillon me 50-60 milionë euro që fillon me blerjen e ekskavatorëve te rinj dhe në 5 vitet e ardhme KEK është i obliguar që të investojmë 250 deri ne 300 milionë euro. Për arsyeje se kjo minierë do të furnizojë termocentralet ekzistuese por edhe termocentralin Kosova e Re”.

“I gjithë ky investim që KEK ka paraparë të bëjë edhe e pamundur të bëhet nga mjetet e KEK, apo me çmimin aktual të energjisë elektrike që e kemi sot, prandaj KEK ka bërë kërkesë nga Qeveria edhe zyra e rregullatorit ose të na ndihmojë në financimin e projekteve ose të në jap mundësi që çmimi i energjisë elektrike të rritet për pjesën e humbjeve, me të cilën kosto do të kishim mundësi ne të mbulojmë të gjitha këto investime, në të kundërtën e kemi të pamundur që të realizojmë këto projekte”.

“Nuk e besoj qe do të ketë ngritje të çmimit për arsyeje se KEK ka kërkuar vetëm për pjesën e humbjeve, pjesa e shërbimit universal e cila është për amvisëri ne kemi kërkuar të mbetet e pa prekshme dhe e marrim atë obligim”, tha Thaçi.

Drejtori Menaxhues i KEK-ut, Njazi Thaçi, bëri të ditur se do të jenë në plan edhe zhvillimi i murit të gjelbër. Sipas tij, do të mbillen drunj nga termocentrali Kosova A e deri te zona e minierave.

the authorBurbuqe Metolli