Aktuale

Thaçi: Shaban Polluzha dhe Mehmet Gradica nuk kursyen asgjë për mbrojtjen e popullit

Shaban Polluzha dhe Mehmet Gradica janë përkujtuar në 72 vjetorin e rënies me një akademi përkujtimore të organizuar nën patronatin e presidentit të Kosovës Hashim Thaçi.

Duke vlerësuar lart këtyre dy figurave historike, presidenti Thaçi tha se Kosova do t’i nderojë gjithmonë të gjitha figurat që dhanë kontribut për lirinë e saj.

“Kanë kaluar tre çerekë shekulli që nga dita kur fundi i një Lufte Botërore po shënonte ngadhënjimin mbi të keqen në rrafshin global. Ngadhënjimi i botës demokratike mbi fashizmin dhe nazizmin ishte e arritur e madhe e njerëzimit. Përballë historisë, shqiptarët si komb, e themi me krenari dhe legjitimitet, ishin rreshtuar krahas popujve antifashistë”, u shpreh presidenti Thaçi.

Presidenti shtoi se shqiptarët e Kosovës, të cilët mezi u kishin shpëtuar planeve dhe projekteve politikës serbe për shkombëtarizim dhe dëbim ndërmjet dy luftërave botërore, kishin shpresë se nga kjo radhitje do të realizonin të drejtën për vendosur vetë për fatin e tyre.

Por, fatkeqësisht, sipas presidentit Thaçi, realiteti ishte më shumë se zhgënjyes.

“Pavarësisht këtij orientimi, kreu jugosllav e kishte para programuar qëndrimin kundër shqiptarëve. Asnjë zotim nuk do të mbahej. Asnjë parim nuk do të zbatohej. Asnjë padrejtësi nuk do të korrigjohej. Më 8 shkurt 1945, kreu politik jugosllav e vuri nën masa të jashtëzakonshme Kosovën në të ashtuquajturin administrim ushtarak”, tha presidenti Thaçi.

Komandantët Shaban Polluzha dhe Mehmet Gradica ishin vrarë nga ushtria jugosllave më 21 shkurt 1945.

Ata do të nderohen me urdhrin “Hero i Kombit” edhe nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani./KosovaPress/