Arsim & Kulturë

Thellohet bashkëpunimi mes SBASHK-ut dhe Sindikatës Shqiptare të Arsimit

Në kuadër të punëtorisë për përgatitjen e një plani lidhur me hapat konkret që duhet ndërmarrë në realizimin në plotëni të Kontratës Kolektive të Arsimit dhe të ndërrimeve e plotësimeve në Statut, Këshilli Drejtues i SBASHK-ut ka organizuar një takim pune me përfaqësues të Sindikatës së pavarur të Arsimit të Shqipërisë.

Siç njofton SBASHK, ky takim ka bërë që të forcohet edhe më shumë bashkëpunimi i SBASHK-ut me Sindikatën shqiptare të Arsimit dhe është arritur marrëveshje që dy grupe punuese të përgatisin një plan konkret strategjik për angazhime të përbashkëta dhe në përkrahjen konkrete që këto dy sindikata do t’i ofrojnë njëra-tjetrës në përballje me sfidat e përditshme.

Kryetari i Sindikatës së pavarur të Arsimit të Shqipërisë, Nevruz Kaptelli duke folur në emër të mësuesve shqiptarë që përfaqëson kjo sindikatë, ka vlerësuar lartë angazhimet dhe arritjet e SBASHK-ut në misionin e saj të mbrojtjes së të drejtave të punëtorëve të arsimit në Kosovë dhe për arritjet, që si tha ai, janë për çdo lëvdatë.

Kaptelli dhe përfaqësuesi tjetër i kësaj sindikate, Isa Halili janë pajtuar që të jetësohet ideja për përgatitjen e një plani të përbashkët strategjik të angazhimeve të përbashkëta në nivel të dy vendeve, por edhe në nivelin ndërkombëtar. Ky plan strategjik do të saktësonte veprimet konkrete për angazhime të përbashkëta në përkrahjen konkrete që këto dy sindikata do t’i ofrojnë njëra-tjetrës në përballje me problemet aktuale në arsimin e të dy vendeve, probleme këto, që si u rikujtua nga pjesëmarrësit nuk janë të vogla, transmeton KosovaPress.

Kryetari i SBASHK-ut ka bërë një prezantim të angazhimeve dhe sfidave në SBASHK-ut duke përkrahur idenë përforcimin e bashkëpunimit me Sindikatën shqiptare të arsimit.