Aktuale

Tirana përgaditet për motin e keq, krijohet Shtabi i Emergjencave

Bashkia e Tiranës ka ngritur shtabin e emergjencave për të menaxhuar dhe përballuar të gjitha vështirësitë që mund të vijnë nga përkeqësimi i motit në ditët në vijim.

Pas paralajmërimeve të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, edhe i pari i Tiranës, Erion Veliaj, ka mbledhur ekipet e emergjencës për të bërë planin për përballimin e situatës nga moti i keq në Tiranë.

“Përveçse është një detyrim ligjor, është një detyrim njerëzor për të përballuar një situatë e cila është e pazakontë krahasuar me situatat e tjera të emergjencave që ka përballuar Bashkia e Tiranës. Teksa me përmbytjet jemi mësuar dhe dimë si menaxhohet situata, kjo është diçka e pazakontë, duke qenë se parashikohet që temperaturat të ulen shumë gjatë fundjavës”, tha Veliaj, transmeton KosovaPress komunikatën e Bashkisë së Tiranës.

Veliaj ka kërkuar që të gjitha strukturat, ambientet dhe mjetet që Bashkia e Tiranës disponon të jenë në gatishmëri për t’i ardhur në ndihmë çdo individi apo familje që do jetë në vështirësi.

“Duam të sigurohemi që çdo qytetar i Tiranës është i sigurt dhe ka një strehë të ngrohtë kur të arrijë i ftohti polar, por në kohë si kjo është jetike për çdo qytetar që të na bashkohet duke ndihmuar fqinjët, apo të afërmit, apo duke na njoftuar për çdo problem të mundshëm në numrat që kemi venë në shërbim të qytetarëve, që janë numri i gjelbër i bashkisë 0 800 0 888, si dhe zjarrfikësit në numrin 112”, tha kryetari i Tiranës, Erion Veliaj. Ai ka bërë të ditur edhe planin e masave që Bashkia e Tiranës ka marrë për të qenë në lartësinë e duhur për të përballuar këtë situatë të pritshme të përkeqësimit të motit dhe për t’u siguruar që çdo njeri të ketë një vend ku mund të strehohet apo të marrë ndihmën e duhur.

Veliaj tha se janë marrë masat që ndërmarrjet e bashkisë, sidomos në zonat e thella të Tiranës, duke filluar nga sot, të bëjnë shpërndarjen e kripës në rrugë, si dhe vendosjen e të gjithë ekskavatorëve në pikat kryesore ku priten problematika. Ai u bëri thirrje qytetarëve të evitojnë në maksimum daljet, sidomos në orët e vona kur i ftohti bëhet më problematik. /KosovaPress/