Sport

Toni Kuka fiton pagën e përhershme nga Qeveria

Trjaneri kosovar i xhudos Driton Kuka, i cili bashkë me xhydisten Majlind Kelmendi i sollën Kosovës medalje të artë olimpike, do të mbështetet përherë financiarisht nga Qeveria e Kosovës.

Vendimin për njohjen e të drejtës për mbështetje të përhershme financiare, Kukës ia ka ndarë Ministri i Kulturës Kujtim Shala.

Kuka duke filluar nga data 1 tetor e këtij viti, tash e përgjithmonë do të marrë nga qeveria nga 800 euro në muaj.

“Vendimi i ministrit Shala, vjen pas rekomandimit të Komitetit Olimpik të Kosovës për trajnerin Kuka i cili i ka përmbushur kushtet e parapara për të qenë përfitues i vlerës së 800 eurove në muaj. Arsyeshmëria për këtë përkrahje bazohet në rregulloren për mbështetje e përhershme të sportistëve që kanë fituar medalje në Lojërat Olimpike, në Kampionatet Botërore e Evropiane”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.