Aktuale

Tre të arrestuar për grabitje të armatosur në Gjakovë

Njësitet hetuese policore kanë arrestuar tre persona të dyshuar për kryerjen e një grabitje të armatosur në komunën e Gjakovës.

Dje, në Stacionin Policor Gjakovë është raportuar një rast “Grabitje me armë zjarri”, ku nga viktima ishin grabitur të holla në vlerë prej 2500 € (dy mijë e pesëqind euro).

Të gjitha njësitë policore janë aktivizuar në identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarve dhe pas dy orësh kanë arritur të arrestojnë tre personat e dyshuar:

J . P i lindur 1991, shtetas i Republikës së Kosovës

S . P i lindur 1992, shtetas i Republikës së Kosovës

G . V i lindur 1997, shtetas i Republikës së Shqipërisë.

Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit me urdhër të të cilit personat e dyshuar mbahen në ndalim policor, ndërsa policia po vazhdon në mënyrë intensive masat operativo hetimore për të zbardhur në tërësi këtë rast dhe veprat e tjera të mundshme të këtij grupi.

Në zonën e përgjegjësisë së Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjakovë gjatë këtij muaji kanë ndodhur edhe dy raste të tjera të tentim-grabitjes me armë e që fal përkushtimit policor dhe qasjes profesionale këto raste janë ndriçuar dhe janë arrestuar kryesit e këtyre veprave.

Ndaj të dyshuarve janë ushtruar kallëzime penale dhe lëndët e kompletuara janë dërguar në Prokurorinë Themelore në Gjakovë për procedim të mëtutjeshëm./FaktePlus

the authorBurbuqe Metolli