Aktuale

Trembëdhjetë vjet burg për serbin që iu gjet 12 kg eksplozivë (Video)

Gjykata Themelore e Prishtinës ka dënuar me 13 vite burgim serbin, Sllobodan Gavriq, që planifikoi të kryejë vrasje masive në kryeqytetin kosovar, gjatë Krishtlindjeve të vitit 2014. Vuajtje të dënimit gjykata ka llogaritur edhe kohën e qëndrimit në paraburgimin, nga 26 dhjetori 2014.

13 vite burgim janë shqiptuar, të mërkurën në mesditë, për serbin nga Beogradi, që para 1 viti e gjysmë, më 25 dhjetor 2014, planifikoi të kryejë sulm terrorist në Prishtinë. 

I dënuari Sllobodan Gavriq, në vigjilje të Krishtlindjeve të vitit 2014, u kap me 23 qese eksploziv, duke i transportuar me veturën e tij “Renault”, e që gjykata beson se ai ishte destinuar të kryente vrasje masive në qendër të Prishtinës, afër Hotelit Grand, ku edhe kishte të rezervuar dhomën për qëndrim. 

Serbit, përveç se u dënua me 13 vite burgim për veprën penale organizimi i sulmit terrorist, si masë shtesë iu konfiskua edhe vetura me të cilën u kap në ‘Dragodan’, në afërsi të ambasadës amerikane,  dhe materiali i fuqishëm eksploziv që iu gjet në veturë, që vlerësohet të jetë 12.219 gramë.

Brenda kohës së rezervuar për qëndrim në burg, atij i është llogaritur edhe koha e qëndrimit në paraburgim. Masa e fundit i është vazhduar të dënuarit deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit të lexuar nga gjyqtarja Shahadije Gërguri. 

“I akuzuari Sllobodan Gavriq është fajtorë sepse me veprën e tij ka dashur që qëllimisht ta frikësoj popullatën dhe me qëllim që seriozisht ta destabilizoj dhe ti shkatërroj strukturat me e rëndësishme Kushtetuese, politike, ekonomike dhe sociale të Kosovës, ka përgatitur kryerjen e veprës penale të terrorizmit. Më këtë ai ka përgatitur kryerjen e veprës penale kundër rendit Kushtetues dhe sigurisë së Kosovës, prandaj gjykata konform dispozitave ligjore e gjykon atë me dënim me burg në kohëzgjatje prej 13 vjetësh”, ka lexuar Gërguri aktgjykimin që u dha në dy gjuhë, shqip e serbisht.
Gjykata, me aktgjykimin e shpallur ndaj serbit me profesion veterinar, i ka besuar versionit të Prokurorisë kosovare, se në rast se do të aktivizohej në Prishtinë eksplozivi PETN që u gjet në 23 qese në veturën “Renault” të Gavriqit, pasojat në njerëz do të ishin shumë të mëdha. Pasi materiali shpërthyes në formë plastike i përzier me gozhda metali mund të kishte rreze të detonimit 3400 në sekondë. 

I dënuari, gjatë procesit, kishte pranuar para trupit gjykues se kishte bartur materialin shpërthyes tri herë nga Serbia në Kosovë, duke kaluar kufijtë e të dy vendeve dhe pa u detektuar. Ai dhe mbrojtja e tij, kishin pretenduar se assesi qëllimi nuk ishte kryerja e ndonjë sulmi terrorist, por vetëm shitja e materies së rrezikshme pëlcitëse, për të fituar një shumë të parave që ia kishte borxh një mik i tij, tash e disa vite. 

Aktakuza ndaj Gavriqit ishte ngritur më 10 korrik 2015, nga Prokuroria Speciale e Kosovës. 

Gjykata atij i jep të drejtë apelimi ndaj vendimit për dënim, gjë që mbrojta e Gavriqit, pas seancës gjyqësore, e ka paralajmëruar se do ta kryejë brenda afateve ligjore. /GazetaExpress/