Rajon & Botë

Trump: Komisioni për manipulimin me votat, “shumë transparent”

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se një komision për manipulimin me votën, i cili u krijua gjatë mandatit të tij, do të jetë “shumë transparent” dhe rezultatet e punës së tij do të bëhen publike sapo të ketë përfunduar së shkruari raporti. Raporti do të jetë “i aksesueshëm nga të gjithë” tha Trump gjatë takimit të parë të komisionit.

“Do ta trajtoni këtë detyrë të rëndësishme me një mendje të hapur, jo duke dalë në përfundime paraprake, ende pa përfunduar procesi. Duhet të mbeteni te faktet me objektivitet dhe të shikoni se ku do t’ju çojnë ato”, i tha ai komisionit, i cili kësaj here ishte mbledhur për betimin e pjesëtarëve, për të formuluar objektivat dhe për të diskutuar hapat e radhës.

Muajin e kaluar, Komisioni kërkoi informacione për votuesit nga 50 shtete. Presidenti Trump lajmëroi krijimin e këtij komisioni ditët e para të mandatit, pas akuzave pa fakte dhe prova, se miliona vota të jashtëligjshme bënë që ai të humbiste votën popullore në zgjedhjet presidenciale të nëntorit 2016.

Nënpresidenti Mike Pence premtoi se komisioni do jetë “një institucion jopartiak në shërbim të popullit amerikan”, ndonëse disa demokratë kanë ngritur dyshimet e tyre në lidhje me efikasitetin e këtij komisioni, duke kërkuar nga ana tjetër edhe largimin e Kris Kobach nga posti i nënkryetarit.

Kritikët e komisionit thonë se ai është pjesë e një përpjekjeje për të ushtruar trysni ndaj votuesve, me qëllim heqjen nga listat të minoriteteve dhe votuesëve demokratë, si dhe përligjjen e akuzave të presidentit Trump për manipulimin me votat. Në një letër drejtuar nënpresidentit Pence të martën, katër nga përfaqësuesit më të rëndësishëm në dhomën e demokratëve, Elijah Cummings, John Conyers, Bennie Thompson dhe Robert Brady, thanë se ishin të shqetësuar, pasi kërkesa e komisionit për të dhënat e votuesit “shkel hapur ligjet federale mbi privatësinë dhe transparencën”.

“Zoti Kobach ka pretenduar vazhdimisht, pa asnjë provë, se ka pasur një manipulim të madh me votat. Ai e përdor punën në këtë Komision për të promovuar kandidimin e tij për guvernator të Kansasit”, shkruhet në letër. “Këto veprime cenojnë integritetin e Komisionit dhe ngrenë dyshime të mëdha se mos përdoret si mjet për të ushtruar trysni ndaj votuesve”. Megjithatë, presidenti Trump, tha se ky komision do ta “ruajë” shenjtërinë e zgjedhjeve amerikane dhe do t’u përmbahet fakteve, pavarësisht se ku të çojnë ato.

Sipas presidentit Trump, më shumë se 30 shtete kanë rënë dakord për të ndarë të dhënat me komisionin, por shtete të tjera e refuzuan kërkesën e presidentit Trump për të ndarë informacione personale mbi votuesit, të tilla si emrat e tyre, historia se si kanë votuar në të shkuarën apo anëtarësimet në parti. Presidenti Trump i kritikoi këto deklarata, duke shtuar: “Lind pyetja se çfarë i shqetëson ata”.

Ligji i Shëndetësisë

Një ditë pas dështimit të përpjekjes së republikanëve për të shfuqizuar dhe zëvendësuar ligjin e njohur gjerësisht si “Obamacare”‘, Trump ftoi të mërkurën të 52 senatorët republikanë në Shtëpinë e Bardhë për një drekë mbi këtë çështje. Presidenti amerikan Donald Trump, sipas VOA-s, u tha prerazi senatorëve se ata duhet të mbajë premtimin shtatëvjeçar për votuesit që të shfuqizojnë ligjin e kujdesit shëndetësor të vendit. “Çdo senator që voton kundër fillimit të debatit mbi këtë çështje i thotë Amerikës se ai është dakord me “Obamacare”. Por të jesh dakord me të nuk është një opsion edhe për një arsye tjetër: sepse është zhdukur, ka dështuar, dështuar, nuk do të jetë më përreth”, tha Trump.

Një moment i vështirë për republikanin më të lartë në Senat, pasi dy senatorë të tjerë republikanë e braktisën projektligjin për kujdesin shëndetësor. “Më vjen keq që përpjekja për të zëvendësuar dështimet në ligjin Obamacare nuk u realizua,” tha Mitch McConnell, Udhëheqës i republikanëve në Senat. “Jam i zhgënjyer, pa dyshim. Për shtatë vjet kam dëgjuar nga Kongresi: ‘ta shfuqizojmë, ta zëvendësojmë,’ dhe kur më në fund patën një shans për ta bërë këtë, nuk e shfrytëzuan rastin,” – tha Presidenti Trump.

Ideja e re e republikanëve

Udhëheqësit republikanë kanë ngritur një ide të re: shfuqizimin e ligjit ekzistues, pa pasur një variant zëvendësimi. Disa senatorë republikanë dhe të gjithë demokratët në Senat e hodhën menjëherë poshtë këtë ide:

“Nuk mendoj se ka një shumicë demokratësh që do ta mbështesnin këtë ide të papeshuar,” – tha Senatorja demokrate Jeanne Shaheen. Projektligji u hartua nga republikanët, pas dyerve të mbyllura, një praktikë që po kritikohet me forcë nga demokratët, të cilët kërkojnë bashkëpunim në këtë proces: “Është e hapur porta për bashkëpunim dypartiak.

Republikanët duhet të kalojnë nëpër këtë portë,” – tha Senatori demokrat Chuck Schumer. Presidenti Trump u ka premtuar republikanëve fitore në përparësi të tjera si reforma fiskale. Analistët thonë se arritje të tilla bëhen më të vështira pas goditjes që morën republikanët dhe presidenti me këtë dështim në projektligjin për kujdesin shëndetësor.

the authorE B