Rajon & Botë

Trump sjell vendimin për Ballkanin Perëndimor, Dodik edhe më tej në listën e zezë

Presidenti amerikan Donald Trump ka marrë vendimin për Ballkanin Perëndimor, me të cilin vazhdohen masat e jashtëzakonshme, të cilat para 16 vjetësh i kishte sjellë ish-presidenti amerikan George Bush, njoftoi sot Shtëpia e Bardhë.

Vendimi, ndërmjet tjerash, përfshin edhe publikimin e të ashtuquajturës listë të zezë të personave dhe organizatave që janë nën sanksionet e SHBA-ve, për shkak të shkeljes së marrëveshjes paqësore të Dejtonit dhe kërcënimit të interesave dhe sigurisë nacionale të SHBA-ve.

Në këtë listë ndodhet edhe lideri i SNSD dhe Republikës Serbe Milorad Dodik, transmeton mediat sarajevase.

Trump për herë të parë nga marrja e postit ka nënshkruar ndonjë vendim ekzekutiv që ka të bëjë me Ballkanin Perëndimor dhe e ka zgjatur edhe për një vit.

Në listën e zezë të publikuar më herët kanë qenë ndërmjet tjerësh, Radovan Karaxhiq, Bilana Plavshiq, Sonja Karaxhiq-Joviçeviq, Momçilo Krajishnik, Lilana Zelen-Karaxhiq dhe Aleksandar Karaxhiq.

Aty po ashtu janë Milovan Bjelica, Lubomir Borovçanin, Stojan Zhuplanin, Dushko Sikirica, Milan Simiq, Senad Shahinpashiq, Hasan Çengiq, Bakir Alispahiq, Ljubo Çesiq, Valentin Çoriq, Savo Kruniq, Zoran Petriq, etj.