Shëndetësi

Truri juaj ka nevojë për këtë frut të thatë

Nuk ka asgjë më të mirë se frutat e thata dhe këtë e vërteton edhe shkenca: përfshirja e arrave në dietën ushqimore (sikur edhe vetëm një grusht), i sjell organizmit një sërë përfitimesh shëndetësore.

Arrat mund të ulin kolesterolin

Sipas një studimi të fundit të kryer tek disa njerëz të grupmoshës 25-75 vjeç, një grusht arra në ditë ul nivelet e kolesterolit të keq (LDL) dhe përmirëson funksionin e murit qelizor të enëve të gjakut. Njerëzit që konsumonin arra thuajse çdo ditë kishin nivele më të ulëta të kolesterolit në gjak krahasuar me ata që i konsumonin shumë rrallë. Përveç kësaj, ata kishin një bel shumë më të hollë se grupi tjetër i personave që nuk konsumonin arra.Këto fruta të thata janë të pasura me yndyra mono të pangopura, siç janë acidet yndyrore omega 3, të cilat mbrojnë zemrën.

Përmirësojnë kujtesën

Një studim i vitit 2012 zbuloi se përfshirja e arrave në dietën mesdhetare lidhet me një kujtesë dhe funksion më të mirë të trurit.Antioksiduesit tek arrat ndihmojnë në uljen e rrezikut të zhvillimit të sëmundjeve neurodegjenerative, përfshirë edhe sëmundjen e Alzhaimerit.

Mund të ulin inflamacionin

Acidet yndyrore omega 3 janë lëndët ushqyese më të mira për të luftuar inflamacionin. Përveç peshkut, acidet yndyrore omega 3 mund t’i gjeni edhe tek frutat e thata, sidomos arrat. Këto të fundit janë një nga burimet më të pasura të acidit alfa-linolenik (ALA), që njihet për luftimin e inflamacionit.

Lehtësojnë simptomat e sindromës paramenstruale

Vetëm një grusht arra përmban gati 50% të sasisë së rekomanduar çdo ditë të një minerali të quajtur mangan dhe rreth 11% të magnezit. Të dy këto minerale lehtësojnë simptomat e sindromës paramenstrale, të cilat janë: pagjumësi, luhatje të humorit, dhimbje të barkut dhe pjesës së shpinës.

Mund të ulin tensionin e gjakut

Studimet në lidhje me mënyrën se si njerëzit reagojnë ndaj situatave stresuese kanë treguar se njerëzit që konsumojnë arra nuk kanë probleme me tensionin e gjakut, edhe nëse janë ose jo nën presionin e stresit. Ekspertët mendojnë se kjo lidhet me përmbajtjen e lartë të acideve alfa-linolenike (ALA), të cilat luftojnë inflamacionin.