Ekonomi

Trusti 500 milionë euro në tregun e Kosovës me rreth 380 mijë kontribues aktivë

Në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK) mjetet nën menaxhim shënuan rritje të lartë, me fondin total që iu afrua 2 miliardë euro apo 1,966,956 miliard, që është një rritje vjetore prej 300 milionë euro.

Kështu  u bë e ditur sot në një konferencë për medie nga drejtuesit e Fondit.

Kryesuesi i Bordit të Trustit, Ruzhdi Morina tha se FKPK për 2019 ka arritur një performancë pozitive nga investimet prej 8.9 për qind ose 161 milionë, ndërkohë që e ka mbajtur luhatjen e ulët. Për dallim prej këtij viti që lamë pas, në vitin 2018 Trusti ka pasur humbje 84.7 milionë euro ose minus 5.3 për qind.

Morina theksoi se edhe pse viti u përmbyll me rritje të fortë të performancës së tregjeve, përgjatë vitit kishte pasiguri me vlerësimin shumë të lartë të aksioneve, me përkeqësimin e fitimit të pritshëm të korporatave, me luftën tregtare të pa zgjidhur deri në fund vit dhe me tensione gjeopolitike gjithë andej globit.

Morina: Në vitin 2018 pati humbje 84 milionë, 2019 shënoi fitim 161 milionë

“Trusti për vitin 2019 ka arritur një performancë pozitive nga investimet prej rreth 8.9 për qind me një kthim bruto rreth 161 milionë euro në total, duke qenë kështu rritja më e lartë në vlerë nominale që nga themelimi. Për pesë vjetët e fundit, në vitin 2015 kemi pasur rreth 29 milionë euro rritje, në vitin 2016 64 milionë euro kthim nga investimi, në vitin 2017 102 milionë euro, në vitin 2018 kishim një rënie prej 84 milionë euro apo minus 5.3 për qind dhe në vitin 2019 161 milionë euro”, tha Morina.

Drejtori i Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës(FKPK), Adrian Zalli tha se 25 për qind e mjeteve ose rreth 500 milionë euro janë plasuar në tregun e Kosovës, kurse 75 për qind e mjeteve të tjera janë investuar në tregjet financiare ndërkombëtare.

Zalli: 500 milionë euro të Trustit janë të plasuar në tregun e Kosovës

“25 për qind e Fondit është e plasuar në Kosovë që është përafërsisht rreth 500 milionë euro. Shumica e të hollave janë në letra me vlerë të Kosovë ose në formë të borxhit, kurse pjesa tjetër prej 180 milionë janë në bankat lokale në formë të depozitave. Për kthim nga investimet, kthimi më i mirë është nga tregjet ndërkombëtare, sepse kanë një rrezik më të lartë se sa këtu. Bordi në fund të vitit ka marrë disa vendime për plasmini e mjeteve pak më shumë në aksione, sepse janë shuar disa vatra të rrezikut që potencialisht ka një marrëveshje mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kinës. Kjo ka rezultuar që tregu i aksioneve të rritet posaçërisht gjatë këtyre dy javëve të vitit 2020 ”, theksoi Zalli.

Evropa dhe SHBA- janë vendet e preferuara të Trustit për investime për shkak të qëndrueshmërisë së tyre financiare dhe tregjeve më të zhvilluara, ndërsa në vendet tjera sipas menaxhmentit të Trustit siguria është më e vogël e mjeteve.

Kontributet e arkëtuara gjatë vitit 2019 ishin 187 milionë euro, ndërsa pensionet e shpërndara gjatë këtij viti janë 52 milionë.

Po ashtu llogari të kontribuuesve aktivë në vitin që lamë pas ishin 379 mijë e 827.


the authorGazetaKNN