Arsim & Kulturë

U mbajt mbledhja e radhës e Senatit të Kolegjit AAB

Nën kryesimin e rektorit z. Lulzim Tafa, u mbajt mbledhja e radhës e Senatit të Kolegjit AAB, në të cilën morën pjesë prorektorët, dekanët, prodekanët e të gjitha fakulteteve të Kolegjit AAB.

Në mbledhjen e sotme të Senatit u shqyrtua Raporti i Komisionit të Habilitimit për avancim të stafit akademik si dhe u miratuan disa rregullore të brendshme të funksionimit të Kolegjit AAB.

Sipas raportit të Komisionit për Habilitim, që ishte pika e parë e rendit të ditës së mbledhjes së sotme, në konkursin për avansim akademik të shpallur nga Kolegji AAB kanë aplikuar rreth 60 kandidatë, të cilët sipas kritereve të konkursit janë vlerësuar nga Komisionet Recenzuese përkatëse.

Bazuar në rekomandimet e Komisionit për Habilitim dhe diskutimet për secilin kandidat veç e veç, senatorët miratuan propozimet në fjalë për këto grada: në Fakultetin e Gjuhës Angleze, 3 kandidatë morën titullin profesor i asociuar, 4 profesor asistent, ndërsa 1 kandidat nuk kaloi; në Fakultetin e Kulturës Fizike, 5 kandidatë morën titullin profesor asistent; në Fakultetin e Psikologjisë, 4 kandidatë u graduan si profesorë asistentë; në Fakultetin e Shkencave Kompjuterike, 3 kandidatëve iu kaloi thirrja profesor asistent; në Fakultetin Ekonomik, 1 kandidat u avansua në gradën profesor i asociuar, 7 profesorë asistentë, ndërsa dy kandidatë nuk kaluan; në Fakultetin Juridik, 7 kandidatë morën gradën profesor asistent; në Fakultetin e Komunikimit Masiv, 1 kandidat u avansua në profesor asistent; në Fakultetin e Administratës Publike 4 kandidatë morën gradën profesor asistent ndërsa 1 kandidat nuk kaloi; në Fakultetin e Shkencave Sociale, 5 kandidatë morën gradën profesor asistent; në Fakultetin e Arteve, 1 kandidat mori gradën profesor asistent, 4 kandidatë morën gradën ligjërues, 1 asistent ndërsa 3 kandidatë nuk kaluan.

Rektori i Kolegjit AAB, prof. Lulzim Tafa bëri të ditur se këto grada të votuara në mbledhjen e sotme të Senatit, do të hyjnë në fuqi me fillimin e vitit akademik 2017/18.

Gjatë këtij takimi përveç kryesuesit të Senatit, z. Tafa, u dhanë edhe një sërë rekomandimesh nga prorektorët dhe dekanët e njësive akademike, për zhvillimin dhe ngritjen e cilësisë së studimeve në Kolegjin AAB.