Arsim & Kulturë

U mbyll me sukses turneu sportiv i studentëve i organizuar për nder të festës së Flamurit Kombëtar

Për nder të 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit Kombëtar, Fakulteti i Kulturës Fizike organizoi turnir për studentët e Kolegjit AAB në disa disiplina, ku garuan 20 ekipe në futsall , 8 ekipe studentësh në basketboll, 6 në volejboll dhe 18 të tjerë në ping-pong.


Garat finale u zhvilluan me datën 02.12.2019 në sallën e sportit të Kolegjit AAB.


Edhe kësaj here fitues në finalet e futsall, basketboll dhe volejbollit dolën studentët e Fakultetit të Kulturës Fizike dhe Sportit. Ndërsa në ping-pong në konkurrencën e meshkujve fitoi studenti Valmir Dervishaj nga Fakulteti i Kulturës Fizike dhe Sportit, ndërsa në konkurrencën e femrave, studentja Bernisa Ismaili nga Fakulteti i Infermierisë.


Në mbyllje të garave Dekani i Fakulteti i Kulturës Fizike dhe Sportit, Prof.ass.dr.Fatmir Pireva, përgëzoi studentët për sukseset e arritura, dhe për lojërat fer të zhvilluara, pa incidente dhe pa lëndime. Po ashtu ai i falënderoi edhe referët dhe studentët organizatorë për këtë organizim të shkëlqyeshëm, duke premtuar gjithashtu edhe organizime të tjera të karakterit sportiv e garues.


Në emër të Rektoratit të Kolegjit AAB, pjesëmarrësit i përgëzoi edhe zëvendës rektori Prof.ass.dr. Shemsedin Vehapi, i cili duke uruar edhe fituesit e turneut premtoi përkrahjen e përhershme të Kolegjit AAB për ngjarje të tilla.


Në fund fituesve të tre vendeve të para iu ndanë trofetë, medaljet edhe shpërblimet e tjera.