Kuriozitete

U vra gabimisht nga polici, shteti dëmshpërblen familjen me 20 milionë dollarë

Familja e trajneres australiane të jogas, Justine Ruszczyk Damond, e cila më 2017 u vra gabimisht nga një polic amerikan, do të dëmshpërblehet me 20 milionë dollarë amerikanë nga autoritetet lokale të qytetit Minneapolis, i cili ndodhet në Shtetet e Bashkuara.

Avokati i familjes tha se babai dhe vëllai i trajneres së vrarë janë të kënaqur me shumën e dëmshpërblimit sepse ajo do të jetë transformuese për ndryshimin e sjelljes së policisë në këtë qytet amerikan.

Damond ishte në moshën 40 vjeçare kur u qëllua për vdekje nga polici Mohamed Noor më 15 korrik të vitit 2017 pasi e kishte telefonuar policinë për një rast të dhunimit në lagjen e saj, The Guardian.

“Goxha kënaqësi. Mendoj se familja e kanë arritur qëllimin për një shumë të madhe dhe për një ndikim transformues të sjelljes së policisë”, tha avokati Bob Bennett.

Familja i kishte paditur autoritetet lokale për vrasjen e gruas dhe kishin kërkuar dëmshpërblim prej 50 milionë dollarësh. Sipas marrëveshjes, kjo familje duhet t’i ndajë 2 milionë dollarë për një fondacion që shërben për trajtimin e dhunës me armë.

“Kjo nuk është fitore për askënd por një mënyrë se si qyteti ynë të vazhdojë përpara. E dimë se asnjë shumë e parave nuk e shëron dhimbjen e familjes Ruszczyk apo të asnjë familjeje që i ka humbur më të dashurit e tyre në këtë mënyrë”, tha kryetari i Minneapolisit, Jacob Frey.

Shuma prej 20 milionë dollarësh është shumë më e madhe se rekordi i kaluar prej 4.5 milionë dollarësh që ishte paguar për vrasjen e një polici nga një koleg i tij në kohën kur po e ndiqnin një të dyshuar.

the authorBurbuqe Metolli