Sport

UEFA merr një vendim të rëndësishëm për Kosovën

Sporti i Kosovës edhe pas shpalljes së Pavarësisë dhe anëtarësimit në organizatat sportive evropiane dhe botërore ka vazhduar të ballafaqohet me telashe nga ato shtete që nuk e kanë njohur shtetësinë e Kosovës.

Me probleme të tilla është ballafaquar edhe futbolli, gjegjësisht Federata e Futbollit e Kosovës, qoftë me pajisje me viza hyrëse, qoftë me mospranim të zhvillimit të ndeshjeve në territoret e disa shteteve. Megjithatë, këmbëngulësia e drejtuesve të FFK-së që rastet e tilla të mos ndodhin në të ardhmen ka hasur në përkrahje të plotë nga UEFA.

Në fakt, Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s në mbledhjen e sotme të mbajtur në Baku, para finales së Ligës së Evropës, duke u bazuar edhe në pastërtinë e punës së drejtuesve të FFK-së, por edhe kulturën e lartë sportive dhe lojërat cilësore që kanë treguar ekipet tona kombëtare në çdo ndeshje ku janë paraqitur, ka vendosur për ta mbrojtur Kosovën nga diskriminime të tilla. Tash e tutje nuk do t’i lejohet asnjë shteti që t’i mohojë simbolet e Kosovës.

Kësisoj, KE i UEFA-s ka miratuar një vendim me të cilin obligohen vendet anëtare të UEFA-s, përfshirë edhe ato që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës (me përjashtim të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, për shkaqe sigurie) që ashtu siç përcaktohet me short duhet të zhvillojnë ndeshje me ekipet e Kosovës, në nivel kombëtaresh apo klubesh.

Ekipet të cilat për shkaqe të ndryshme nuk janë në gjendje të presin klubet e Kosovës ose ekipet kombëtare të saj në territorin e tyre, atëherë mund të organizojnë ndeshjet e tyre në fushë neutrale. Megjithatë, ato janë të obliguara të pranojnë të luajnë ndeshjet në Kosovë. Klubet apo ekipet kombëtare që nuk pranojnë të luajnë me klubet apo ekipet kombëtare të Kosovës, në vendin e tyre apo në Kosovë do ta humbin ndeshjen me rezultat zyrtar.

Ndërkohë, një tjetër lajm i mirë nga mbledhja e KE të UEFA-s është edhe miratimi i sistemit për garat e klubeve për edicionin 2020/21 në Evropë, ku Kosova do të përfaqësohet me një klub në Ligën e Kampionëve dhe dy klube në Ligën e Evropës, gjë e cila iu kishte premtuar drejtuesve të FFK-së në takimin e mbajtur në Budapest./Lajmi.net/

the authorBurbuqe Metolli