Rajon & Botë

Uragani “Irma” do të jetë shkatërrues për Amerikën

Uragani “Irma” do të “shkatërrojë” ose Floridën ose shtetet fqinje. Kështu të paktën ka thënë kreu i Agjencisë Federale të Emergjencave të SHBA-ve, Brock Long.

“Uragani Irma vazhdon të jetë një kërcënim që do të shkatërrojë Shtetet e Bashkuara ose Floridan ose në disa nga shtetet juglindore. Të gjitha shtetet jug-lindore në SHBA më mirë të “zgjohen” dhe t’i kushtojnë vëmendje këtij uragani”, ka thënë Long.

Ai tha poashtu se pjesë të Floridës do të mbesin pa energji për ditë të tëra derisa gjysmë milioni njerëz tashmë janë urdhëruar të largohen nga shtëpitë e tyre.
Uragani “Irma” ka lënë gjurmët e shkatërrimit në Karaibe duke prekur rreth 1.2 milion njerëz derisa të paktën 20 persona thuhet se kanë vdekur deri më tani, transmeton Klan Kosova.
Ky uragan është cilësuar në kategorinë e katërt të stuhive por zyrtarët paralajmërojnë se mbetet “jashtëzakonisht i rrezikshëm”.
Shërbimi Kombëtar i Motit në SHBA thotë se “Irma” pritet të sjellë shpejtësi të erës prej rreth 270km / h gjatë fundjavës ndërsa pritet të godasë Floridën.
Guvernatori i Floridas, Rick Scott tha se të gjithë shtetasit duhet të jenë të përgatitur për evakuimin e mundshëm duke dhënë edhe një paralajmërim për ata që gjenden në zonat e kërcënuara.
“Po mbaron koha. Nëse je në një zonë evakuimi, duhet të largohesh tani. Mbani mend, mund ta rindërtojmë shtëpinë tënde por nuk mund ta rindërtojmë jetën tënde”, ka thënë ai.
Numri i të vdekurve vazhdoi të rritet të premten në Karaibe.
Ministri i Brendshëm i Francës, Gérard Collomb tha se nëntë persona kanë vdekur dhe shtatë janë të zhdukur në territorin francez në St Martin, një ishull që kufizohet me Holandën dhe St Bartelmi që njihet më shumë si St Barts.
Konsullata e Përgjithshme e SHBA-ve në Curacao tha se beson se rreth 6,000 amerikanë janë bllokuar në ishull.
Autoritetet ushtarake franceze, britanike dhe holandeze kanë shpërndarë ndihma – përshirë aeroplanë të pajisur me ushqim, ujë dhe trupa ushtarake në territoret e tyre.