Kuriozitete

Ushqimet që duhet konsumoni nëse shkoni në palestër

Shëndeti – Mbajtja e trupit në formë nuk duhet parë thjesht në aspektin e modës, por edhe të mirëqenies së organizmit. Këtë herë do të njiheni me ushqyerjen më të mirë që ju nevojitet, nëse shkoni në palestër

Cilido qoftë objektivi, tonifikimi i muskujve, hollimi i barkut, këmbëve ose i krahëve, rrumbullakosja e vitheve ose thjesht humbja në peshë, nuk ka dyshim se shoqërimi i dozës së duhur të ushtrimeve me një rutinë ushqyerje korrekte, është thelbësore për të marrë rezultatet e shpresuara. Trupi juaj ka nevojë për “karburantin” e duhur si para, ashtu edhe pas stërvitjes, respektivisht për të gjetur energjitë dhe për të riparuar muskujt e lodhur. Ja se cilat janë rekomandimet që vijnë nga një sajt fitnesi, “Pop Sugar”.

Mollë dhe gjalpë kikiriku

Një lugë gjelle nga ky gjalpë i shijshëm ka rreth 150 kalori, një shifër e mirë pas trajnimit në palestër. Kombinojeni me një mollë dhe për të fituar akoma më shumë energji, shtojini ndonjë kokërr rrush.

Qumësht me çokollatë

Nëse ka ndonjë rast të mirë për të konsumuar këtë “mëkat” pa u ndier në faj, është ai pas lodhjes nga stërvitja. Falë proteinave dhe antioksidantëve, një gotë qumësht me çokollatë paraqet pijen perfekte për të ristabilizuar nivelet e energjisë dhe për t’iu dhënë karikimin e duhur për të përballuar sa më mirë pjesën tjetër të ditës.

Kos pa yndyrë dhe fruta të freskëta

Është perfekte për të rikuperuar energjitë e humbura gjatë kohës që shkoni në palestër dhe në të njëjtën kohë, për t’i dhënë organizmit tuaj një dozë të mirë vitaminash. Më mirë është që të zgjidhni kosin e bardhë dhe frutat më të pasura me antioksidant, si për shembull frutat e pyllit, sidomos manaferrat dhe boronicën, të shoqëruara ndoshta me një banane të prerë në feta.

Koha e vakteve

Koha që konsumohet ushqimi para dhe pas palestrës luan rol kyç në ndërtimin e muskulit. Është shumë më efikas në shtimin e volumit të muskulit konsumi i një vakti të kombinuar në karbohidrate dhe proteina para dhe pas palestrës, sesa shtimi i sasisë së proteinave gjatë ditës! Sidomos marrja e proteinave përpara aktivitetit! 15 gramë proteina + 40 gr karbohidrate (sheqer) para dhe 15 gr proteina + 50 gr karbohidrate pas. Për shembull: 1 tost me bukë thekre, 40 gr djathë pa yndyrë, 1 fetë proshutë pule, domate.

Hidratimi

Për aktivitete nën 45 minuta nevojitet thjesht ujë. Pijet sportive nevojiten për aktivitete mbi 45 minuta, aktivitete intensive si futbolli, basketbolli. Avantazhi i tyre është se ato furnizojnë trupin me elektrolite, kripë dhe sheqer. Një orë përpara aktivitetit fizik është mirë që të pini rreth 0,5 l ujë. Gjatë aktivitetit është mirë të konsumohen rreth 200 – 2400 ml ujë çdo 10 – 20 minuta.

Rreziqet e dehidratimit:

– Lodhja

– Humbja e forcës

– Kapaciteti aerobik mund të bjerë deri në 35%

– Do të ndiheni të turbulluar

– Do të ndieni dhembje koke, madje dhe përzierje në stomak!

Kujdes!

Shumë njerëz mendojnë se para palestrës është më mirë të mos ushqehen dhe kështu do të djegin më shumë kalori. Kujdes: nëse trupi nuk ka substrate energjike, ai do ta ulë djegien.