Shëndetësi

Ushqimet që rekomandohen për të sëmurët me tumor

Ushqimi është një pjesë e rëndësishme në trajtimin e sëmundjeve tumorale. Qelizat e kancerit lulëzojnë në një mjedis acid, ndaj edhe një dietë e dominuar më së shumti nga perime të freskëta, drithëra, fara, arra dhe fruta, mund ta ndihmojë trupin për të prodhuar një ambient alkalin.

REGJIMI

Shumica e udhëzimeve mbi mënyrën e ushqyerjes theksojnë nevojën e konsumimit të sa më shumë perimeve dhe frutave, duke kufizuar sasinë e mishit të kuq, veçanërisht ato që janë të përpunuara. Po ashtu, apelohet për zvogëlimin e yndyrës, sheqerit, alkoolit dhe kripës. “Pacientët me sëmundje tumorale duhet të kenë kujdes dhe të bëjnë një jetë të shëndetshme me aktivitet fizik dhe ushqime të shëndetshme.Në përgjithësi, duhet të eliminojnë ushqimet me përmbajtje sheqeri, mishin e kuq, ushqimet e konservuara, ushqimet me përmbajtje të lartë kripe dhe yndyrash. Ushqime që rekomandohen dhe që janë të shëndetshme janë ushqimet me përmbajtje antioksidante.

Këta pacientë duhet të kenë një dietë të pasur me perime si domate, brokoli, karota, sallata jeshile.Duhet të përdorin fruta, në përgjithësi frutat me vitamine C si portokalli, limonë dhe qitro. Duhet të përdorin karbohidrate si oriz, makarona, mjaltë”, sugjeron mjekja onkologe, Esmeralda Sera. Kur jeni duke u trajtuar për kancer, këto gjëra mund të jenë të vështira për t’u bërë, veçanërisht, nëse keni efekte anësore ose thjesht nuk ndiheni mirë. Por vëmendja ndaj regjimit ushqimor para, gjatë dhe pas trajtimit të kancerit, mund të ndihmojë pacientët të ndihen më mirë dhe të qëndrojnë më të fortë.

EFEKTET

Disa trajtime të kancerit janë më të efektshme kur pacienti është i ushqyer mirë dhe merr mjaft kalori dhe proteina në dietë. Pacientët që ushqehen mirë mund të kenë një prognozë më të mirë (shans për rimëkëmbje) dhe cilësi të jetës. Një dietë e shëndetshme përfshin konsumimin e sa më shumë ushqimeve dhe lëngjeve që kanë lëndë ushqyese të rëndësishme, vitamina, minerale, proteina, karbohidratet, yndyra që trupi ka nevojë. “Terapia e të ushqyerit përdoret për të ndihmuar pacientët të marrin ushqimet që kanë nevojë për të mbajtur peshën dhe forcën e trupit, për të ruajtur indet e trupit të shëndetshme dhe për të luftuar infeksionin”, theksojnë specialistët e shëndetit.