Aktuale

Varrezat e dëmtuara në Çabrat: Hapen arkivolet, ekspozohen mbetjet mortore

Persona të dyshuar, momentalisht të panjohur kanë dëmtuar varrezat e Luftës Nacional Çlirimtare në Çabrat. Deri më tani nuk është arrestuar askush, ndërkaq policia ka thënë për Express se si pasojë e kësaj, mbetjet mortore janë ekspozuar

Dikujt në Çabrat të Gjakovës i ka dalë punë me varrezat e dëshmorëve të Luftës së Dytë Botërore. Persona ende të panjohur, kanë hapur arkivolet me dërrasa të drurit duke bërë që mbetjet mortore të ekspozohen.

Policia e Gjakovës ka thënë se deri më tani ende nuk dihet kush e ka bërë një vepër të tillë, pasi ai lokacion është mjaft i frekuentuar.

“Policia e ka marrë informatën nga qytetarët se varrezat e Ushtrisë Nacionale Çlirimtare pra të Luftës së Dytë Botërore janë dëmtuar. Sipas vlerësimeve të para mund të themi se ajo është zonë e frekuentuar, e hapur dhe pa përkujdesje të institucioneve shtetërore dhe sipas këtyre hetimeve vlerësojmë se dëmi nuk është bërë tani, por kohë më parë. Për momentin nuk ka të dyshuar”, ka thënë Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Gjakovës, Lumni Graishta.

Graishta tha se meqenëse afër varrezave ka lokale dhe njerëz të cilët mund të kenë vërejtur diçka të dyshimtë, do të ftohen për t’u intervistuar në cilësinë e dëshmitarëve.

“Aty afër janë disa lokacione dhe kemi identifikuar disa persona që e frekuentojnë atë zonë e kemi një listë të personave që do të ftohen në cilësi të dëshmitarëve, ndërsa të dyshuar nuk kemi”, ka thënë Graishta.

Ai tregoi se dy prej varreve me dërrasa të drurit kanë mbetur të hapura.

“Aty kanë qenë disa arkivole me dërrasa të drunjta, dy prej tyre janë hapë, me ç’rast mbetjet mortore janë të ekspozuara sepse janë dëmtuar kapakët e arkivoleve. Me sa kemi marrë informatë Kuvendi Komunal e ka vendosur një derë”, deklaroi Graishta.

Ndërkaq për rastin e dëmtimit të varrezave ka njoftuar edhe Policia e Kosovës në raportin 24 orësh, duke e cilësuar si “Dëmtim i varreve apo kufomave”.

“Gjakovë 15.10.2019-13:00. Raportohet se të dyshuar të panjohur kanë dëmtuar varrezat e dëshmorëve të Luftës Nacional Çlirimtarë. Nuk raportohet për të dyshuar”, thuhet në raportin e policisë.