Aktuale

Varroset ish-deputeti Paçaku

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Kujtim Paçaku, është varrosur sot me nderime në varrezat e Prizrenit.
Ai ka vdekur dje në moshën 59-vjeçare derisa veprimtaria e tij prej poeti dhe politikani është vlerësuar lart në një mbledhje komemorative që është mbajtur në Prizren.

Kolegu i tij, deputeti Veton Berisha tha se vepra e Kujtimit ka lënë gjurmë të pashlyera te të gjithë dhe se ai dhe komuniteti rom dhe egjiptian do ta ndjekin rrugën e tij, përcjell KP.

“Kujtimin do ta kujtojmë si person shumë intelektual, i butë, dhe dashtë Zoti që ne që jemi prapa të ndjekim rrugën e tij. Kujta është i njohur për stoicizëm, rezistencë dhe për vendosmërinë e tij për mbrojtje të idealit të tij për atë që është nisur. Unë jam krenar me Kujtën dhe ju të jeni krenar me të. Bashkërisht do të ndjekim rrugën e Kujtës”, tha Berisha.

Një fjalim prekës ka mbajtur djali i të ndjerit Denur Paçaku. Ai ka treguar për kohën sa babai i tij ishte gjallë dhe për sakrificën e tij për t’i shkolluar fëmijët me çdo kusht.

“Kontributi që ke dhënë dhe puna që ke bërë çdo herë na ka sjellë lumturi në shtëpi dhe ka ngitur dinjitetin dhe krenarinë e familjes tonë. Qëndrojmë ballëlartë karshi veprimtarisë tënde të ndritshme”, tha djali i tij Denuri.

Për veprën e Paçakut ka folur edhe aktori nga Prizreni Xhevdet Doda. Ai tha se i ndjeri nuk do të kujtohet vetëm si njeri por si person që ka bërë shumë në promovimin e teatrit dhe kulturës rome në Kosovë.

“Do ta kujtoj Kujtën si poet, nuk do ta kujtoj vetëm si njeri shumë i dashur për të gjithë, por do ta kujtoj edhe për rolin e tij shumë të rëndësishëm në promovimin e teatrit, promovimin e kulturës rome që i ka bërë me shumë përkushtim dhe shumë dashuri”, tha Doda.

Familjen Paçaku e kanë ngushëlluar edhe krerët më të lartë të shtetit, presidenti, kryeministri, kryetari i Kuvendit, parti politike, gazetarë dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

the authorE B