Aktuale

Vazhdimi i seancës konstituive me 24 gusht me kërkesë të PAN-it

Me kërkesë të koalicionit PAN, vazhdimi i seancës konstituive do të mbahet me 24 gusht në të cilën koalicioni fitues i zgjedhjeve do të propozojë Kadri Veselin kandidat për kryetar të Kuvendit dhe do t’i hapet rrugë formimit të Qeverisë.

Kjo datë u vendos në takimin konsultativ, ani pse koalicioni LAA dhe vet kryesuesi Adem Mikullovci shprehen drojën se as në këtë datë koalicioni PAN nuk do të jetë i pranishëm. Në këtë takim nuk mori pjesë vetëm Lëvizja Vetëvendosje.

Zëvendëskryetari i PDK-së Enver Hoxhaj, propozoi datën 24 gusht për të mbajtur seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, në të cilën janë të gatshëm të propozojnë kandidatin për kryetar të Kuvendit, e që është Kadri Veseli.

“Në konsulta me përfaqësuesit e AAK-së dhe Nismës ne mendojmë që seanca e radhës në të cilën do të marrë pjesë koalicioni ynë, por ftojmë edhe tjerët të marrin pjesë, ku do të dalim me kandidat për kryetar të Kuvendit dhe ai është Kadri Veseli, kryetari i PDK-së dhe kryetar i deritanishëm i Kuvendit. Seanca e radhës do duhej të mbahej javën e ardhshme me 24 gusht në të cilët seancë ne marrim pjesë dhe ushtrojmë të drejtën tonë kushtetuese”, tha Hoxhaj.

Propozimi i Hoxhajt irritoi paksa koalicionin LAA, të cilët shfaqen mosbesim se edhe në atë seancë koalicioni PAN mund të mos marrë pjesë. Shefi i grupit parlamentar të LAA-së, Avdullah Hoti, akuzoi koalicionin PAN për bllokadë dhe shkelje kushtetuese.

“Nëse dikush e ka cenuar dinjitetin e Kuvendit të Kosovës, ne duhet të pranojmë që është koalicioni PAN me mos pjesëmarrjen në këtë seancë. Mendoj që duhet të jemi përgjegjës para qytetarëve, para votuesve tanë…edhe unë nuk jam i dakordit që të caktohet çfarëdo seance nuk merr pjesë edhe PAN-i, sepse në pesë vazhdime të seancës me mospjesëmarrjen e tyre këta veç e kanë konsumuar të drejtën e tyre kushtetuese për të propozuar kandidatin e Kuvendit”, shtoi Hoti.

Deputeti i Alternativës Ilir Deda, shtroi dilemën nëse koalicioni PAN do të jetë i pranishëm edhe me 24 gusht në seancë, ani pse vet e propozoi këtë datë.

“Procesi konsultativ nuk do të thotë që ne vijmë dëgjojmë dëshirat e juaja dhe këta Enver e din ti shumë mirë, korrektësia minimale për një proces konsultativ nënkupton që vjen thu pse po tërhiqeni prej zotimit të javës së kaluar e jeni zotu të tretë publikisht që seanca e radhës do të propozohej prej 17 dhe 18 dhe pastaj dilni me dy tri sugjerime tjera”, u shpreh Deda.

Edhe deputeti i AKR-së Korab Sejdiu shtroi dilemën nëse mund t’i besohet koalicionit PAN që do të jetë i pranishëm në seancë me 24 gusht.

“Thënë thjesht, edhe pse nami nuk ish bë me prit deri me 24, por nuk e di sa mundemi me iu besua, që do të vije i 24-ti dhe ju prapë ose nuk do të vini në seancë ose do të vazhdoni me tentativa për vonesa tjera”, tha ai.

Kryesuesi i seancës Adem Mikullovci, iu bashkua kërkesës së koalicionit LAA që të kihet garanca se me 24 gusht do të vijë koalicioni PAN në seancë.

“Ju e dhatë një propozim me 24 gusht dhe unë ju bashkohem parafolësve të mi se nuk kemi kurrfarë garance se do t’i përmbaheni kësaj. Të lutëm, veç ta mbaroj para së gjithash unë kërkoj nga ju që këtë propozim tuajin ta parashtroni me shkrim dhe t’i drejtoheni Kuvendit me shkrim”, tha Mikullovci.

Këto deklarata të përfaqësuesve të koalicionit LAA, nxitën reagimin e Hoxhajt, i cili e quajti absurde dilemat e tyre.

“Zotëri Mikullovci ku keni të drejt të mendoni se a do të jemi a s’do të jemi në seancë. Ne patëm një propozim shumë konkret, me 24 gusht jemi të gatshëm të vijmë në seancë dhe përtej 24 gushtit hajdeni e ndërtojmë një politikë dhe kulturë të konsensusit në këtë vend…Arsyeja pse mora fjalën është se ku t’iu besojmë, por kush jeni ju në fund të fundit që ta ngritni këtë dilemë, kush jeni ju..po lenani me 24 gusht ta shihni a do të jemi në seancë a jo”, shtoi Hoxhaj.

Ndërsa, përfaqësuesi i AAK-së, Pal Lekaj ka akuzuar deputetët e Vetëvendosjes për keqpërdorim të foltores së Kuvendit në vazhdimin e seancës të hënën.

“Ne jemi të vetëdijshëm që kryesuesin e ka shty subjekti i vet të thirr seanca dhe ta nxjerrë dikë bllof. Dhe nuk kemi nevojë këtu që dikush të na shesë mend se sa i duan qytetarët se jemi pjesë e këtij vendi, kemi dhënë shumë për këtë vend dhe ata të cilët ndoshta sfida dhe vuajtjet e qytetarëve të Kosovës i kanë parë vetëm në media, sot e përdorin foltoren e Kuvendit pa të drejt kushtetuese, pa të drejt të rregullores së Kuvendit, që të fyejnë atë më të shenjtën, luftën çlirimtare të ushtrisë tonë”, tha Lekaj.

Ndaj kësaj, reagoi Hoti, duke i thënë atij që të mos i gjeneralizojë gjërat, sepse secili mbanë përgjegjësi për fjalën e tij, pavarësisht se me të drejt është thënë se nuk është dashur të ketë debat në vazhdimin e seancës konstituive.

Propozimin e koalicionit PAN që me 24 gusht të mbahet seanca konstituive, në të cilën do të marrë pjesë edhe koalicioni PAN dhe do të propozoj kandidatin për kryetar Kuvendit, e përkrahen edhe përfaqësuesit e minoriteteve.

Slavko Simiq nga Lista Serbe ka thënë se është e drejtë e këtij takimi që të caktojë se kur do të mbahet vazhdimi i seancës konstitutive, më 17, 18 apo 24 gusht.

Ai ka thënë se Lista që ai përfaqëson, nuk është për bllokimin e punës së Kuvendit dhe institucioneve të Kosovës, dhe se është e drejtë e PAN-it që të dalë me kandidatin për kryetar të Kuvendit të Kosovës.

“Synimi ynë i përbashkët final është ndërtimi i institucioneve të vendit dhe vakumi politik institucional që ka rrjedhë ditëve dhe javëve të fundit është një përgjegjësi e madhe. Jemi të lumtur që pas disa takimeve, sot nga koalicioni PAN kemi marrë propozimin për vazhdimin e seancës dhe kemi propozimin konkret se kush do të jetë kryetar i Kuvendit. Duhet të tejkalojmë paragjykimet dhe duhet të vazhdojmë për krijimin e institucioneve dhe jam i sigurt duhet t’i shmangemi konfuzionit nëse kjo duhet të jetë 17, 18, ose 24 gusht”, ka thënë Simiq.

Por, ata reaguan lidhur me akuzat që u janë bërë se janë të shantazhuar për mos pjesëmarrje në seancën e së hënës.

Deputeti nga Partia Liberale Egjiptiane, Veton Berisha tha se ata janë rreshtuar në anën e Kushtetutës dhe nuk janë të shantazhuar nga askush. Madje, në fillim të fjalës së tij pati një përplasje me Bilall Sherifin e Nisma për Kosovën.

“…Komunitetet janë në një pozitë me të rëndën këtu dhe jemi akuzuar që jemi të detyruar ose të shantazhuar nga dikush të vijmë apo mos vijmë në seancë. Kështu është thënë media dhe është folur në seancën e Kuvendit dhe në këtë kuptim që ne në secilën anë të mbajmë ne prapë do të akuzohemi se jemi të ndikuar nga dikush dhe të vijmë apo të mos vijmë. Pikërisht për këtë arsye po them sepse komunitetet kanë vendosur të qëndrojnë në anë e kushtetutshmërisë”, tha Berisha.

Edhe Danush Ademi, nga PDAK, tha se do të jetë pjesë e seancës së 24 gushtit, porse nuk pranojnë që të thirren nga deputetët.

“Nga seanca kemi marrë thirrje ju deputetët e komuniteteve ta ngritni dorën vijnë deputetët në foltore dhe na thërrasin në seancë, kush janë deputetët me na thirrë. Ka të drejt të na thërret sekretaria në seancë dhe kryesuesi, por jo deputetët…e përkrahu Vetonin sepse nuk duam ofendime nga seancat. Ne dimë të drejtën tonë, ne kemi obligim ndaj votuesve tonë që na kanë votuar, nuk jemi ardhur pa të drejtë vote në Kuvend”, tha Ademi.

Krejt në fund të takimit, pas shumë përplasjeve, kryesuesi i seancës Adem Mikullovci, tha se megjithatë po vendos që më 24 gusht të thërras vazhdimin e seancës konstituive sipas kërkesës së koalicionit PAN. /kp