Aktuale

Vazhdon zvogëlimi i lëndëve në Gjykatën Themelore të Gjilanit

Gjykata Themelore e Gjilanit ka mbyllur gjashtëmujorin e parë të këtij viti me sukses dhe kjo falë përkushtimit të madh të gjithë gjyqtarëve dhe stafit administrativ.

Në Departamentin e Krimeve të Rënda punojnë gjashtë gjyqtarë, gjatë periudhës janar – qershor janë pranuar 146 lëndë, ndërsa janë kryer 180, do të thotë 34 lëndë më shumë janë kryer.

Një prioritet i madh gjykata i ka dhënë kryerjes së lëndëve të korrupsionit, ku për këto gjashtë muaj janë kryer gjithsejtë 19 lëndë të kësaj natyre.

Edhe në Departamentin për të Mitur dhe atë Përgjithshëm numri i lëndëve të kryera është më i madh në krahasim me numrin e lëndëve të pranuara.

Shprehur në përqindje gjatë këtij gjashtëmujori Gjykata Themelore në Gjilan ka kryer 111 % më shumë lëndë nga ato që janë pranuar.

Ndonëse është mungesë e gjyqtarëve në Gjykatën Themelore të Gjilanit, numri i lëndëve vazhdon të bie nga viti në vit.

Me konkursin e fundit për gjyqtarë janë caktuar edhe pesë gjyqtarë për Gjykatën Themelore të Gjilanit dhe kjo në masë të madhe do të ndikojë që numri i lëndëve të bie ndjeshëm.

Pritet që në të ardhmen e afërt, lëndët që do të pranohen në gjykatën tonë do të caktohen menjëherë dhe nuk do të presin sikurse vitet e kaluara.

Po ashtu edhe Degët e Gjykatës Themelore në Kamenicë, Viti dhe Novobërdë kanë kryer lëndë më shumë nga numri i lëndëve të pranuara.