Rajon & Botë

Vdes ish-ministri i Jashtëm në kohën e ngjarjeve të sheshit ”Tienanmen”

Ish-ministri kinez i Punëve të Jashtme, Qian Qichen, i ngarkuar me rivendosjen e lidhjeve me komunitetin ndërkombëtar pas shtypjes së revoltave në sheshin ”Tienanmen” në vitin 1989, vdiq në moshën 89-vjeçare, njoftoi sot shtypi kinez.

“Qian Qichen vdiq dje në mbrëmje në Pekin pas një sëmundjeje të rëndë”, theksoi sot agjencia zyrtare kineze e lajmeve “Hsinhua”, duke cituar një komunikatë të qeverisë qendrore.

Ai ishte ministër i Punëve të Jashtme në vitet 1988-1998.

Diplomati ishte artizan i rikthimit të Kinës në skenën ndërkombëtare pas dënimit të regjimit kinez pas ngjarjeve në sheshin ”Tienanmen” në qershor të vitit 1989.

Ushtria i dha fund me armë lëvizjes së studentëve që manifestonin që prej një muaji e gjysmë kundër korrupsionit dhe për një hapje demokratike të vendit.