Rajon & Botë

Vdes një fëmijë nga virusi i Ebolas në Ugandë

Zyrtarët shëndetësorë të Ugandës njoftuan se një djalosh 5-vjeçar ka vdekur nga virusi Ebola në këtë shtet. Ai është viktima e parë në Ugandë në kohën kur Republika Demokratike e Kongos po përballet me një rritje të madhe të rasteve me këtë sëmundje.

Më shumë se dy mijë raste janë regjistruar në Republikën Demokratike të Kongos vetëm në dhjetë muajt e fundit, shumica prej të cilave kanë përfunduar në mënyrë tragjike. Ndërkaq, djaloshi që vdiq në Ugandë besohet se ka qenë më parë në Kongo me familjen e tij dhe ka ardhur nga ky shtet të dielën e kaluar.

Pas shfaqjes së simptomave, djaloshi u dërgua në një spital të Ugandës. Zyrtarët thanë se në mesin e simptomave që shfaqi djaloshi i ndjerë ishte edhe vjellja e gjakut. Për më tepër, dy të afërm të djaloshit janë të infektuar me Ebola.

Uganda tashmë i ka vaksinuar rreth 4700 punëtorë të sektorit të shëndetësisë për t’i mbrojtur nga sëmundja vdekjeprurëse. Ata po punojnë që t’i identifikojnë rastet tjera të mundshme që rrezikohen nga infektimi.

Përndryshe, përhapja e Ebolas në Kongo është rasti i dytë më i rëndë në histori të këtij vendi. Rreth 1400 njerëz kanë vdekur për shkak të këtij virusi nga gushti i vitit të kaluar, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.