Aktuale

Vehapi: Dinamika e punëve dhe shpenzimet e buxhetit, në përputhje të plotë me njëra-tjetrën

Komuna e Rahovecit të enjten ka organizuar debat publik për të arriturat komunale në gjashtë mujorin e parë për vitin 2017.

Me këtë rast, kryetari i komunës së Rahovecit, Idriz Vehapi, tha se në gjashtëmujorin e parë të këtij viti kanë shpenzuar 50.10 përqind të buxhetit e që siç tha ai, shpenzimi i gjysmës së buxhetit për gjysmën e parë të vitit tregon se punët dhe shpenzimet e buxhetit përputhen në mënyrë të plotë me njëra-tjetrën.

Ndërsa u shpreh se buxheti që e ka pasur komuna e Rahovecit për vitin 2017 kap vlerën prej mbi 11 milionë euro.

“Si komunë buxhetin e përgjithshëm e kemi 11 milionë 908 mijë e 739 euro. Domethënë është totali i buxhetit prej të cilit 8 milionë e 661 mijë euro janë nga granti qeveritar ndërkaq 1 milion e 247 mijë e 732 euro janë të hyra komunale. Të gjitha këto janë të shpërndara nëpër kategoritë ekonomike. Paga dhe mëditje janë 6 milionë e 28 mijë e 178 euro. Investime kapitale janë 3 milionë e 732 mijë e 629 euro, paga dhe shërbime janë 706 mijë e 110 euro. Shpenzime komunale janë 250 mijë e 500 euro dhe subvencione janë 191 mijë e 322 euro. Do të thotë ky është buxheti komunal i shpërndarë sipas kategorive ekonomike”, tha Vehapi.

Më tej, duke iu referuar punëve të cilat janë kryer në territorin e Komunës së Rahovecit, Vehapi tha se kanë investuar në infrastrukturën e Rahovecit. Me këtë rast ai përmendi rregullimin e disa rrugëve si dhe është bërë ndriçimi modern i rrugëve të qytetit e që sipas tij, kjo është bërë në kuadër të aplikimit të masave të BE-së dhe në bashkëpunim me Ministrinë e Pushtetit Lokal.

“Posa të kompletohet ndriçimi në qytetin e Rahovecit, ditët në vijim do t’i kushtojmë rëndësi edhe ndriçimit të pjesës tjetër të komunës. Fillimisht do të fillojmë me fshatrat që janë më të mëdha e pastaj do të vazhdojmë edhe me fshatrat tjera”, u shpreh ai.

Ai theksoi se projekte të ndryshme janë në realizim e sipër, si ndërtimi i rrugës në fshatin Xërxë dhe fshatra të tjera, projekte të cilat pritet të finalizohen brenda këtij viti. Ndërsa shtoi se janë duke u rregulluar edhe rrugët e dëmtuara.

Ndërkaq, kryetarë të lagjeve nga komuna e Rahovecit dhe të pranishëm të tjerë nga shoqëria civile ngritën çështje të tilla preukopuese për ta, si për infrastrukturën rrugore, ujin e pijshëm, ndërtimin e shkollave si dhe theksuan se ndjehen të shqetësuar për ushqimet që shiten e nuk mirëmbahen në mënyrën e duhur nga shitësit.

Për këto, i pari i komunës së Rahovecit, theksoi se mbetet ende punë të bëhet pasi që siç tha ai, kjo mund të fillojë edhe me debatet që secila Drejtori mund të bëjë si mënyrë për të dëgjuar problemet që më pas t’i zgjidhë ato.

“Ne duhet ta dimë se asnjë qeverisje komunale nuk mund të mbërrijë t’i kryejë të gjitha punët për një apo dy mandate, por do të vijojë puna edhe në Komunën e Rahovecit dhe në të gjitha komunat e tjera. Do të bëhen renovime, punime të reja, rrugë të reja dhe të gjitha”, u shpreh kryetari.

Sa i përket sektorit të bujqësisë, Vehapi tha se brenda këtij viti përmes participimit do të ndërtohen edhe 99 sera me sipërfaqe prej 1 ari e gjysmë.

Ndërkaq, Drejtori për Buxhet dhe Financa në Komunën e Rahovecit, Lulzim Sylejmani, theksoi se falja e borxheve përfundon në shtator të vitit 2017 dhe për këtë ai kërkoi nga qytetarët të shfrytëzojnë mundësinë për të përfituar nga kjo duke i shlyer një pjesë të obligimeve në mënyrë që pjesa e mbetur t’iu falet.

“I njoftoj qytetarët që ligji për faljen e borxheve, konkretisht tatimit në pronë skadon më 1 shtator, dhe iu kisha bërë thirrje të gjithë atyre që kanë obligime, ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre deri më 1 shtator që t’i shlyejnë ato obligime sepse është në favorin e tyre pasi që një pjesë e borxhit falet”, u shpreh ai.

Krejt në fund, Vehapi u shpreh se do të mundohen të bëjnë më të mirën gjatë punës së tyre në Komunën e Rahovecit duke thënë se në asnjë mënyrë nuk do të punojnë në drejtim të gabuar.

Ndryshe, sipas ‘Raportit të Performancës së Komunave” nga Ministria e Pushtetit Lokal, komuna e Rahovecit hyn në grupin e madh të 27 komunave me arritje të mesme të performancës, duke treguar arritje të theksuar prej 50.21 përqind./KP