Kuriozitete

Vendi ku shtëpitë kushtojnë vetëm 1 euro

Qyteti sicilian, Sambuca, ka vënë shtëpitë e pabanuara, në shitje për 1 euro secila. Këshilli vendor i Sambuca, miratoi një strategji në janar, e cila u bë ‘modë’ në jug të Italisë, duke shitur shtëpitë e braktisura, për këdo që dëshiron të hyjë në një ankand, i cili fillonte nga 1 euro për shtëpi.

“Nëse ata që marrin pjesë nuk kërkojnë më shumë, shtëpitë do të shiten për 1 euro”, është shprehur nënkryetari i Sambuca, Giuseppe Cacioppo.

Qindra njerëz nga Mbretëria e Bashkuar, Dubai, Panama dhe Rusi kishin mbërritur në Sambuca, për të vizituar pronat. Ndërkohë, telefonat e zyrave të këshillit nuk ndaluan së rëni, për javë të tëra, transmeton ‘Scan’.

“Kemi pasur telefonata nga Sydney, Londër dhe Nju Jork”, tha Cacioppo për “The Guardian”. “Pak javë pas lajmërimit që bëmë, morëm pothuajse 100,000 email nga shumë blerës potencialë, të cilët kanë kapur fluturimet e para për të mbërritur sa më shpejt në Sicili”.

Vetëm 1 ditë pas njoftimit, kryetari ka deklaruar shitjen e 16 shtëpive të para, ku shtëpia më e lirë u shit për 1,000 euro, ndërsa ajo më e shtrenjta për 25,000 euro. Ndër pronarët e rinj janë familje britanike, ruse, kiliane dhe izraelite.

Sambuca, është një vend i cili gjendet brenda një rezervati natyre të rrethuar nga pyje dhe male, dhe deri tani ka rreth 5.000 banorë. Rënia filloi kur punëtorët e fermave u detyruan të largohen pas industrializimit të sektorit bujqësor. Në janar 1968, një tërmet goditi luginën Belice, në jug-perëndim të Sicilisë, duke vrarë 231 njerëz, duke plagosur më shumë se 1,000 dhe duke lënë 100,000 të pastrehë. Katër qytete u rrafshuan tërësisht dhe të tjerë, si Sambuca, pësuan dëme të tmerrshme, duke shkaktuar që më shumë familje të braktisnin shtëpitë e tyre.

Fshatrat e tjerë italianë, në rrezik për t’u bërë qytete fantazmë, kanë tentuar të njëjtën strategji për të shmangur këtë fenomen, duke bërë gjithçka që duhet për të mbijetuar, edhe nëse kjo do të kërkonte shitjen e shtëpive të tyre me çmimin e një kafeje.

the authorBurbuqe Metolli