Aktuale

Veseli-Haradinaj: Përkrahja e prodhuesve vendorë, prioritet i Fillimit të ri

Fillimi i ri do të ketë prioritet kryesor mbështetjen e prodhimeve vendore në mënyrë që të jetë garanci e zhvillimit të hovshëm ekonomik. Kështu kanë thënë të mërkurën kryetari i PDK-së Kadri Veseli dhe ai i AAK-së, njëherësh i nominuar për postin e kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj, gjatë një vizite që i kanë bërë fabrikës për prodhimin e barërave “Trepharm”, ku janë njohur nga afër me procesin e punës dhe cilësinë e produkteve vendore, të cilat eksportohen në vende të ndryshme të botës.

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli tha se duhet të kalohet nga një shoqëri konsumuese në shoqëri prodhuese dhe se misioni Fillimi i ri do të ketë prioritet përkrahjen e prodhuesve vendorë.

 

“Është koha që Kosova të lëvizë nga një shoqëri konsumuese në një shoqëri prodhuese. Është koha që Kosova të lëvizë nga një shtet, i cili i ka 90 për qind importe, t’i rritë eksportet. Ky është edhe zotimi ynë i përbashkët në qeverinë e ardhshme për katër vite: Kosova industriale, Kosova me fabrika. Kosova në të cilën fermerët e kanë përkrahjen e gjithanshme për të arritur që të kemi prodhimin vendor. Në të njëjtën kohë ku fuqizimi i rolit të gruas dhe rinisë do të jetë parësor për të gjithë ne dhe në këtë mënyrë mund të ecim përpara edhe në integrimet tona në Bashkimin Evropian dhe në NATO suksesshëm”, tha Veseli.

Ndërsa lideri i AAK-së dhe kandidati për kryeministër nga koalicioni PDK-AAK-Nisma, Ramush Haradinaj, tha se nga sot do t’iu besojë produkteve vendore, pasi nga ajo që ka parë nga afër në këtë fabrikë e ka bindur që produktet vendore të “Trepharm” janë më cilësoret në tregun farmaceutik në Kosovë.

 

“Unë po e filloj me një ndjenjë timen të sotme, unë që sot i besoj produkteve të “Trepharm”. I besoj se e pashë vetë. Nëse fëmija im ka nevojë për një ilaç unë do të zgjedh “Trepharm”. Besoj shumë që ky produkt është më i mirë sesa plot që i kemi në treg të importuar. Është më i garantuar. Ky produkt është i standardeve më të larta që sot prodhohen. Kjo u pa nga teknologjia, nga procesi, u pa nga çdo proces i prodhimit. Mund t’ia jep këtë lajm të mirë Kosovës dhe qytetarëve se e kemi një produkt që mund t’i besojmë. Pse jemi sot këtu, e tha edhe kryetari Veseli se PDK-AAK dhe partnerët tjerë të koalicionit kemi bërë një investim shumë serioz politik, me vetëdije, në mënyrë që zhvillimet në vend me marrë drejtimin e duhur, me qenë një nisje e re, pra me qenë një fillim i ri”, tha Haradinaj.

Themeluesi i “Trepharmit”, Mërgim Prishtina kërkoi nga Veseli e Haradinaj, që të përkrahen produktet vendore. Sipas tij, përkrahja duhet të fillojë nga vetë qeveria me blerjet publike.

 

“Produkti vendor duhet të përkrahet nga të gjithë liderët politik. Çka do të thotë të përkrahet, ftesa për përdorim të produkteve vendore nuk duhet të bëhet vetëm të qytetarëve, por duhet fillimisht të bëhet të qeveria me blerjet publike. Buxheti ynë për ta bërë atë buxhet nuk duhet të lejojë që të kalojë në zhvillimin e shteteve tjera, por duhet fillimisht të ketë blerje të produkteve vendore. Të rastet farmaceutike Kosova blen afër 22 milionë barna, ku produkt vendor blihet vetëm 95 mijë, që i bie rreth 0. 5 për qind të buxhetit mbetet në vend”, tha Prishtina.

Procesi i prodhimit të produkteve farmaceutike në fabrikën “TrePharm”, sipas menaxhmentit të kësaj kompanie, kontrollohen nga teknologjia më bashkëkohore evropiane. /kp