Aktuale

Veseli kujton betejën e parë të UÇK-së

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh lider i PDK-së, Kadri Veseli, ka kujtuar sot 21 vjetorin e ballafaqimit të parë frontal të UÇK-së me forcat serbe në Rezallë të Re të Skënderajt.
Veseli i shoqëruar nga kreu i PDK-së në Skenderaj, Sami Lushtaku dhe nga kryetati i Skënderajt, Bekim Jashari, kanë vendosur lule tek shtatorja e komandantit legjendar Adem Jashari i cili edhe ishte prijës i kësaj beteje.

Kreu i PDK-së ka thënë se betejea e UÇK-së në Rezallë të Re hoqi përfundimisht gjitha dilemat rreth luftës çlirimtare dhe kështu shërbeu si paralajmërim i saj.

“21 vite më parë, në Rezallë të Re të Skenderajt ndodhi ballafaqimi i parë frontal i UÇK-së me policinë pushtuese serbe. Ajo betejë hoqi përfundimisht gjitha dilemat rreth luftës sonë çlirimtare dhe kështu shërbeu si paralajmërim i saj. Në nderim të kësaj beteje, me shumë bashkëluftëtarë, nderuam prijësin e kësaj beteje, komandantin legjendar të UÇK-së, Adem Jasharin. Duke qenë të bashkuar e fituam lirinë. Dhe, të bashkuar do ta zhvillojmë Kosovën dhe do ta bëjmë më të fortë shtetin tonë të pavarur e sovran”, ka shkruar Veseli në faqen e tij në Facebook. /Lajmi.net/