Aktuale

Veseli premton mbështetje më të madhe për fermerët e Rahovecit

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka premtuar vazhdim të mbështetjes për fermerët dhe qytetarët e Komunës së Rahovecit. Kreu i PDK-së, Kadri Veseli, në tubimin elektoral të mbajtur sonte në këtë komunë, ka thënë se PDK dhe Idriz Vehapi kanë sjellë në këtë komunë traditën për të mbështetur fermerët në çdo fushë të agrobiznesit.

“Nga 2007 PDK merr qeverisjen dhe nga 2008 ka filluar një partneritet zhvillimor, i cili përreth një dekade është në zhvillim, që ka ndihmuar edhe në fizionominë e prodhimit në Republikën e Kosovës, veçanërisht fushëveprimtarinë e prodhimtarisë bujqësore. Në të njëjtën kohë edhe përkrahjen institucionale, e cila ju jep, qoftë përmes subvencioneve për verëtarë, qoftë me krerë për bagëti, në të njëjtën kohë me numrin e bletëve. Në çdo fushëveprimtari të agrobiznesit është një përkrahje për fermerët. Tani më nuk është çështje se a do të kenë fermerët përkrahje apo jo, ajo çështje është e përfunduar, tani më çështjen e flasim çdoherë me fermerët se sa do t’i rrisim ato”, tha ai.

Po ashtu, lideri i PDK-së, Kadri Veseli tha se PDK si bartëse e përgjegjësive institucionale, do të jetë 100 për qind përkrah Idriz Vehapit. Veseli tha se çdo dikaster i qeverisë së Kosovës do të jetë përkrahë Idriz Vehapit.

I pari i PDK-së pati diçka për të thënë edhe për kandidatin e AAK-së për kryetar të Rahovecit, Smajl Latifi, të cilin e quajti tregtar.

“Me respektin më të madh për kundërkandidatin, e kemi pasur bashkëluftëtar, por nuk e kemi ditur që kish qenë shumë tregtar. Përndryshe, Kosova ktyneherë e ka pasur “Eximkos” kishim dërgu, por tash ndoshta e dërgojmë në Ministri të Tregtisë, pasi të humb në Rahovec, se ka me humb”, tha Veseli.

Ndërsa, kryetari aktual dhe kandidati i PDK-së për kryetar të Rahovecit, Idriz Vehapi tha se meritojnë të festojnë, sepse sipas tij kanë punuar shumë që t’i zgjidhin problemet e Komunës së Rahovecit. Vehapi premtoi se do të vazhdojë që bizneset t’i trajtojë si partner të Komunës, duke iu krijuar lehtësira dhe mundësi për prodhim dhe shitje, e jo vetëm në Kosovë.

“Fermerët, ata që nuk e njohin fjalën lodhje, ata që me përkushtim e dashuri po e trajtojnë këtë tokë për të sjellë tek ne gjitha të mirat e kësaj toke. Janë një nga prioritetet e programit tonë, do të rrisim subvencionet e grantet për ta. Do të shtrojmë edhe më shumë rrugë fushore dhe ta zgjerojmë sistemin e ujitjes. Do të zgjerojmë hapësirat e vreshtave dhe kështu do të ndihmojmë edhe vertarët, që këtë rrush të mirë ta sjellin tek ne në forma të ndryshme”, tha Vehapi.

Gjithashtu, pretendenti edhe për një mandat në krye të Rahovecit tha se do të ndërtojnë edhe shkolla, do t’i pajisin shkollat me laboratorë, sepse sipas tij ky është investim për të ardhmen.

Vehapi tha se do të vazhdojë të jetë transparent, siç ka qenë dhe do të komunikojë me sinqeritetin më të madh me të gjithë qytetarët e Komunës së Rahovecit.

Idriz Vehapi i PDK-së në balotazhin e së dielës do të përballet me kandidatin e AAK-së, Smaj Latifi, i cili në zgjedhjet e 22 tetorit ka dal i pari./KP