Aktuale

Veseli: Shteti jonë është i shenjtë

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka vizituar sot vendlindjen e heroit të kombit Isa Boletini, fshatin Boletin, në kuadër të shënimit të 28 Nëntorit–Ditës së Flamurit dhe 105-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

Në shenjë nderimi për kontributin e Isa Boletinit për pavarësinë e Shqipërisë dhe mbrojtjen e interesave nacionale, kryetari Veseli ka mbajtur një minutë heshtjeje, ndërsa përveç kurorës me lule, simbolikisht vendosi një flamur kombëtar dhe një plis mbi varrin e këtij heroi.

Veseli tha se shteti i Kosovës është i shenjtë dhe nuk do të lejojë askënd ta cenojë atë. Sipas tij, populli i Kosovës do të ecë fuqishëm përpara, ngase kështu ka dashur edhe tribuni i madh Isa Boletini, i cili u flijua së bashku me familjen e tij.

“Shteti jonë është i shenjtë, liria jonë është e shenjtë, ajo është e pacenueshme. Ne do të ecim fuqishëm përpara dhe nuk do të lejojmë askënd ta cenojë atë. Kjo është ajo që ka dashur tribuni ynë i madh Isa Boletini me flijimin e vet atdhetar dhe gjithë familjes së vet. Jemi krenarë që e kemi Isa Boletinin në gjirin tonë dhe Mitrovica është krenare që Isa Boletini prehet sot këtu në vendin e vet. Në të njëjtën kohë Kosova është shumë krenare që ka pasur bijë të tillë. Ne i përulemi këtij tribuni të kombit edhe sot dhe në të njëjtën kohë besatohemi se do të vazhdojmë të punojmë edhe më fuqishëm për kombin tonë, për të mirat e popullit tonë, në mënyrë që të realizojmë idealet që kanë pasur dëshmorët dhe heronjtë e atdheut”, ka thënë Veseli.

Historiani Sabit Syla, tha se epoka historike në të cilën veproi Isa Boletini me angazhimet e tij, e bënë atë të radhitet ndër figurat më të respektuara të kombit.

“Lufta për liri të atdheut e bëri atë strateg e diplomat. Arti luftarak e përsosi me pushkë në dorë, kurse atë të diplomacisë e mori nga ideologu Hasan Prishtina. Epoka historike në të cilën veproi Isa Boletini me angazhimet e tij, e bën atë të radhitet ndër figurat më të respektuara të kombit”, theksoi Syla.

Ndërsa, stërnipi i heroit, Gazmend Boletini, ka thënë se festa e 28 Nëntorit, pa dyshim është ndër festat më të veçanta për shqiptarët.

“Pa dyshim se festa e 28 Nëntorit është ndër festat më të veçanta të popullit tonë. Pikërisht nga ky Boletin, Isa së bashku me 400 djem të tij më të mirë bënë gardën e parë të Ismail Bej Vlorës në Vlorë”, tha Boletini.

the authorE B