Aktuale

Veseli: S’ka pazare nëpër zyre për demarkacionin

Kryesia e kuvendit, në mbledhjen e mbajtur ka marrë vendim që seanca e radhës e Kuvendit të Kosovës, të mbahet të enjten e ardhshme. As në këtë seancë demarkacioni nuk do të jetë në rend dite.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli tha se duhet një konsensus nacional sa i përket demarkacionit, me qëllim që bashkërisht të tejkalohet kjo sfidë.

“Një duhet ta kenë parasysh qytetarët e këtij vendi. Asnjë vendim në Kuvendin e Kosovës nga asnjë deputet i përgjegjshëm, nuk do të merret që nuk është në interes të vendit. Pjesa më e madhe e kuvendarëve që janë në Kuvend janë njerëz që kanë sakrifikuar. Ka familje të dëshmorëve, ka luftëtarë, ka intelektualë, ka akademik, ka biznesmen duhet shërbejë me kalu nga kjo pjesa e thatë politike, e cila është demarkacion dhe asociacion, në pjesën e cila është e zhvillimit ekonomik. Demarkacioni do të kalon bashkërisht për forcimin e sovranitetit të Kosovës dhe në të njëjtën kohë dhe asociacioni do të kalojë vetëm në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, tha ai.

Ndërsa sa i përket Listës Serbe, Veseli tha se nuk do të ketë pazare nëpër zyre dhe se nuk do të pranohet asnjë kusht i tyre.

“Le ta harron dikush se mundet me bisedu pazare nëpër zyre. Vetëm në mënyrë transparente. S’ka asgjë çka kemi me u marrë vesh na privatisht, pos aspektit transparent. Ne jemi shtet i pavarur sovran. Lista Serbe është pjesë e këtij shteti të pavarur dhe sovran. Jemi shumë të interesuar që me Republikën e Serbisë me pas marrëdhënie të mira fqinjësore. Por Serbia ka marrë fund njëherë e përgjithmonë për Kosovën. Të gjithë ata zëra të cilët mundohen me kthy qoftë influencën virtuale, janë zëra të mjerë dhe qyqarë, të cilët nuk janë dinjitoz për lirinë e sotshme…Lista Serbe është jashtëzakonisht pozitive në Kuvend. Asnjë kusht nuk e ka paraqitur tek unë si kryetar i PDK-së dhe në të njëjtën kohë asnjë kusht nuk ka me vlejt, të jem i sinqertë“, tha ai.

E duke i komentuar deklaratat e Albin Kurtit, i cili ka deklaruar se me 1 shtator kanë shmangur luftën, Veseli tha se nëse dikujt i ka mbetur merak që s’ka luftuar atëherë kur ka qenë koha, le ta harron se do të ketë luftë tani.

“Luftë ka pasur në Kosovë në vitin 1998-1999. Nëse dikujt i ka mbetur shumë qejf që s’ka mund ta tregoj vetën atëherë dhe mendon se do të ketë luftë në Kosovë tash, le ta harron përjetë. Mirë është mos me i dëmtu njerëzit, familjet e fëmijët. Se krejt kemi vuajt gjithë bashkërisht. Dhe në të njëjtën kohë është jo tolerante kjo çështje, keni parasysh”, tha ai.

E sa i përket koalicionit qeveritar LDK-PDK dhe mundësisë së lëkundjes së tij si pasojë e demarkacionit, ai tha se ky koalicion qeveritar është burim i stabilitetit në rrethanat në të cilat ka kaluar vendi. Ndërsa tha se duhet të fillohet të mendohet që të ndërrohet kjo situatë për të mirën e këtij vendi.

Ndërsa shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj, i cili u kthye sot në mbledhjen e Kryesisë pas një mungesë të gjatë, pasi që kishin bojkotuar Kuvendin tha se janë kthyer për t’i shtyrë përpara proceset, që janë në interes të qytetarëve.

Lekaj thotë se kriza e thellë politike dhe demarkacioni, me të cilin po merren tani e një vit, ka bërë që të mbeten nën hije shumë çështje tjera, që janë të rëndësishme për qytetarët.

“Ka një krizë të thellë politike dhe ajo që po mbizotëron janë dy marrëveshjet që prapë që një vit po merren dhe janë lënë anash edhe zhvillimi ekonomik dhe premtimi që u është bërë qytetarëve. Politikë kyçe e Kuvendit që një vit, është demarkacioni dhe asgjë tjetër. I ka lënë në hije të gjitha ato që janë me rëndësi jetike për qytetarët dhe për pritjen e qytetarëve , që Kuvendi dhe Qeveria ta bëjnë në interes të tyre”, tha ai./KP