Aktuale

Veseli: Do t’i përmbushim të gjitha detyrimet tona ndaj BE-së

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, të shtunën ritheksoi qëndrimin e vazhdueshëm të institucionit që ai udhëheq që sapo të vijë marrëveshja e shënjimit të kufirit nga Qeveria, ajo do të procedohet në seancë.

Ai këto komente i bëri gjatë një takimi që kishte me shefen e diplomacisë evropiane Federica Mogherini më të cilën ka biseduar për progresin e vendit tonë në rrugën drejt integrimeve evropiane, përmbushjen e kritereve nga ana e Kosovës, si dhe për bashkëpunimin mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Veseli dhe Mogherini kanë diskutuar edhe për çështjen e marrëveshjen për shënjimin e kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi.

“Qytetarët e Kosovës janë gjeografikisht, politikisht, kulturalisht pjesë Evropës. Prandaj, ne do t’i përmbushim të gjitha detyrimet tona ndaj Bashkimit Evropian si institucione dhe si popull”, tha Veseli.

Në këtë takim u diskutua edhe për procesin e dialogut që po zhvillohet në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Me këtë rast, kryeparlamentari Veseli i ka dhënë mbështetje dialogut, duke e vlerësuar si interes të qytetarëve të dy shteteve për normalizim të raporteve, njofton Zyra për media dhe marrëdhënie me publikun.

Ndryshe, shefja e diplomacisë evropiane Federica Mogherini sot ndodhet për vizitë në Kosovë, gjatë të cilës do të vizitojë edhe Mitrovicën. Vizita e saj në vendin tonë bëhet në kuadër të turneut diplomatik nëpër vendet e rajonit, ku dje ka vizituar Serbinë dhe Shqipërinë.