Aktuale

Vetëm Demarkacioni është kusht për liberalizimin e vizave

Kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane, Njomza Emini, ka thënë se nëse Kosova do të ratifikojë Marrëveshjen e shënimit të vijës kufitare me Malin e Zi, do të ndodhë liberalizimi i vizave me Bashkimin Evropian (BE). Sipas saj, kushti tjetër i luftimit të korrupsionit është kusht i vazhdueshëm dhe nuk do ta pengojë liberalizimin në një miratim të mundshëm të Demarkacionit.

“Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor ballafaqohen me një shkallë të lartë të korrupsionit dhe krimit të organizuar, porse të gjithë kanë lirinë e lëvizjes me shtete anëtare të Shengenit. Prandaj, mendimi i disave se nuk do të ketë liberalizim pa përfunduar lufta kundër korrupsionit nuk qëndron, sepse kjo luftë është permanente dhe kërkon kohë”, tha Emini për “Indeksonline”.

Ndërkaq, Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar rikthimin në Kuvend të Projektligjit të Demarkacionit me Malin e Zi brenda dy javëve të ardhshme për arsyen që të arrihen afatet e nevojshme për liberalizimin e vizave me Bashkimin Evropian gjatë këtij viti.
Këshilltari i Kryeministrit, Faton Abdullahu, tha dje për Gazetën Express se “natyrisht se ne jemi, gjithashtu, shumë të interesuar që t’i respektojmë afatet kohore që ndërlidhen me punën e subjektet përkatëse në Bruksel rreth kësaj çështjeje, me qëllimin që Demarkacioni të mos mbetet për vitin e ardhshëm, por të zgjidhet sivjet”.

Po ashtu, edhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i ftuar në një emsion debati ka ripërsëritur edhe një herë se Demarkacioni duhet të miratohet për vizat. Ai tha se kundërshtarët e Demarkacionit për veten e tyre i kanë vizat.
“Demarkacioni është i drejtë dhe nëse nuk kalon dhe ndikohet kjo vendimmarrje nga provincializmi lokal dhe patriotizmi i rrejshëm, për Kosovën nuk do të ketë liberalizim vizash. Ndërsa, ata që po e pengojnë këtë proces për vete e familjet e tyre kanë viza”, ka thënë Thaçi.

Megjithatë, opozita nuk ka ndryshime në qëndrimin e saj kundër këtij versioni të Demarkacionit. Pavarësisht se kanë ende ftesë publike nga kryeministri Mustafa për të dialoguar në zgjidhjen e një konsensusi, opozita nuk pranon dialog dhe insiston që të kthehet në pikën zero kjo Marrëveshje. Dështimi i miratimit të Demarkacionit me Malin e Zi do të sjellë që kosovarët akoma të presin me muaj për një termin dhe të rrinë në radhë të gjata para ambasadave për një vizë.