Aktuale

Veteranët e Kosovës kujtojnë veteranët amerikan

Kryesia e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me rastin e 11 Nëntorit, Ditës së Përkujtimit – Ditës së Veteranëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka uruar të gjithë veteranët e luftës dhe mbarë popullin amerikan.

Ja komunikata e plotë:

Në emër të Kryesisë së Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të gjithë veteranëve të luftës, kam kënaqësinë e veçantë që bashkë me Juve, popullin mik amerikan dhe popujt tjerë liridashës, miq të popullit amerikan dhe popullit tonë, me rastin e festës kombëtare – Ditës Përkujtimore – Ditës së Veteranëve, të nderojmë kontributin e madh të pjesëtarëve të mëparshëm dhe aktualë të Forcave të Armatosura të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, kryesia dhe të gjithë veteranët dhe invalidët e UÇK-së, e vlerësojmë lartë dhe përulemi para veprës gjigante dhe të paharruar për jetë e mot, të të gjithë atyre amerikanëve që dhanë jetën gjatë shërbimit ushtarak në shërbim të mbrojtjes dhe lirisë.

Me anë të kësaj letre shprehim edhe një herë falënderimet tona të përhershme të veteranëve dhe invalidëve të UÇK-së dhe të mbarë popullit shqiptar për të gjithë ata ushtarë e oficerë që bashkë me Departamentin e Shtetit dhe mbarë popullin mik amerikan, e mbështetën popullin tonë dhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës në kohërat dhe momentet më të vështira, kur po i rrezikohej ekzistenca.

Dita Kombëtare e Veteranëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës është një ditë e madhe, është dita e lirisë, është dita e veteranëve dhe e të rënëve për liri. Në Ditën e Veteranëve përkujtohet e nderohet shërbimi i të gjithë veteranëve dhe dëshmorëve të Ushtrisë Amerikane, të gjithë atyre që veshën uniformat e ushtrisë dhe shërbyen nën flamurin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në këtë ditë nderimi, respekti e përkujtimi, Memorial Day, që është edhe festë federale amerikane, sikur se Ju edhe ne i kujtojmë me pietet të lartë burrat dhe gratë që ranë dëshmorë, duke dhënë jetën gjatë kohës sa shërbyen në Forcat e Armatosura të Shteteve të Bashkuara.

Kujtimi e nderimi për ta do të mbetet i paharruar në kujtesën e të gjithë shqiptarëve, sikurse do të mbeten të paharruara dhe të përjetshme miqësia me ShBA-të dhe lidhjet tona të ngushta ndërmjet të dy vendeve dhe popujve tanë miq e aleatë të përhershëm.

Në shenjë nderimi, në këtë datë të shënuar, një delegacion i përbërë nga veteranë dhe invalidë të luftës së UÇK-së në ShBA, në emër të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së nga Kosova dhe në emër të OVL të UÇK-së në ShBA, do të vendosin kurora lulesh në Varrezat Kombëtare të Dëshmorëve në Arlington.

Kryesia e OVL të UÇK-së, veteranët dhe mbarë populli shqiptar solidarizohen kurdoherë me SHBA-të, jemi me SHBA-të në festa, në gëzime e hidhërime, si pjesë e miqësisë dhe aleancës së përbashkët.

Kujtim e nderim të përhershëm për të gjithë dëshmorët dhe veteranët e luftës!

Miqësisht, me shumë respekt,

Nasim Haradinaj

Nënkryetar i OVL të UÇK-së