Aktuale

Vetëvendosje: Aleksander Lumezi nisi hetimet ndaj “Pronto’s” pas presionit qytetar

Lëvizja Vetëvendosje po konsideron se hetimet lidhur me aferën e Adem Grabovcit kanë nisur pasi qytetarët kanë bërë presion mbi Prokurorinë e Shtetit. Visar Ymeri ka kërkuar zgjerimin e hetimeve edhe ndaj Presidentit Hashim Thaçi e Kryetarit të PDK’së Kadri Veseli.

Visar Ymeri ka thënë se pa ngritjen e aktakuzës ndaj Hashim Thaçit e Kadri Veselit drejtësia ndaj Klanit Pronto nuk do të jetë e plotë dhe gjithëpërfshirëse. Ka argumentuare se nisja e hetimeve ndaj Adem Grabovcit është lajmi i mirë por jo i plotë.

“Drejtësia nuk është e plotë pa nisjen e hetimeve edhe ndaj Hashim Thacit dhe Kadri Veselit. Edhe në përgjime shihet se Grabovci nuk është udhëheqës i grupit kriminal por vetëm zbatues”, ka thënë Ymeri, në një konferencë për media, të shtunën.

Hetimet e Prokurorisë kanë nisur pas publikimit të përgjimeve teksa Adem Grabovci dëgjohet duke bërë pazare me vendet e punës, duke punësuar militantë partiakë, duke emëruar njerëz në borde etj.

“Mirëpo duhet ta kemi të qartë se ky veprim vjen pas trysnisë se qytetarëve. Pra është e qartë se trysnia e qytetarëve është e domosdoshme që të luftohet krimi dhe korrupsioni. Prokuroria nuk duhet të ndale vetë në këtë pistë pasi nga përgjimet e publikuara vërehet se Adem Grabovci është zbatuesi i urdhrave, ndërsa ai nuk jep urdhra. Ato i japin Thaçi e Veseli dhe çdo hetim që nuk i prek edhe ata në këtë rast është i mangët”, ka thënë Imeri.

Ndërkohë, Shpend Ahmeti ka thënë se vonesa prej pesë vitesh për të nisur hetimet ndaj një personi në Kosovës ngreh shumë pyetje.

Ka thënë se presioni qytetar ka qenë dhe do të jetë rruga e vetme për të ecur përpara.

“Aktakuza nuk duhet të ndalet vetë të Grabovci por të zgjerohet në tërë këtë rrjet kriminal i cili ka punuar që të mbaj në pushtet këtë rrjet”, tha Ahmeti

Ai ka shtruar pyetjen se pse prokuroria është vonuar kaq shumë për këtë rast.

“Megjithëkëtë bëjmë thirrje prokurorisë që të zgjeroj hetimet dhe të përfshi edhe personat e tjerët”, ka shtuar ndër të tjera Ahmeti.