Aktuale

Vetëvendosje: Deputetët që u arrestuan dhunshëm, të lirohen menjëherë

Shtatë deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje dje janë përjashtuar nga Kuvendi dhe janë arrestuar për shkak të hedhjes së gazit lostjellës dhe vjedhjes së kartelave të deputetëve.

Arbërie Nagavci, Drita Millaku, Fitore Pacolli, Valon Ramadani e Xhelal Sveçla janë arrestuar për shkak se hodhën katër herë në seancë gaz lotsjellës, shkruan Indeksonline.

Ndërsa, deputeti Liburn Aliu është arrestuar meqë u mori kartelat deputetëve tjerë për t`iu pamundësuar atyre votimin.

Me këtë rast, Vetëvendosje përmes një reagimi në Facebook ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të deputetëve të tyre.

Ky është reagimi i plotë i tyre:

Të lirohen menjëherë deputetët e arrestuar
Dje, në seancën për Demarkacionin me Malin e Zi, u arrestuan 7 deputetë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! të cilët protestuan brenda Kuvendit kundër kësaj marrëveshje që ia fali 8200 hektarë Malit të Zi dhe ia zgjati jetën kësaj Qeverie për pak kohë
Ky arrestim i deputetëve të Lëvizjes erdhi me urdhër të kryepolicit Kadri Veseli për të liruar sallën e Kuvendit të Republikës që dje kishte për qëllim faljen e territorit, legjitimin e tradhëtisë së Thaçit, e të gjitha këto me ndihmën e Kryeministrit Haradinaj.
Deputetë që u arrestuan dhe u larguan dhunshëm nga salla e Kuvendin ende po vazhdojnë të mbahen në paraburgim vetëm pse u vunë në mbrojtje të Republikës. Ne kërkojmë lirimin e menjëhershëm të deputetëve: Arbërie Nagavci, Drita Millaku, Fitore Pacolli, Liburn Aliu, Valon Ramadani, Salih Zyba dhe Xhelal Sveçla.