Aktuale

Vetëvendosje: Drejtori i Financave në Fushë-Kosovë kërcënoi aktivistin që po ndiqte seancën

Lëvizja Vetëvendosje në Fushë Kosovë ka bërë të ditur se aktivisti i kësaj Lëvizje është kërcënuar nga Drejtori i Financave.

Sipas një njoftimi të publikuar në Facebook thuhet se aktivisti, Alket Zeqiri është kërcënuar gjatë seancës së Kuvendit Komunal, i cili po ndiqte seancën si qytetar.

Me këtë rast Lëvizja Vetëvendosje në këtë komunë ka dënuar veprimin e Drejtorit duke shtuar se nuk do të ndalen para çfarëdo kërcënimi, transmeton Indeksonline.

Ky është postimi i plotë:

Drejtori i Financave në Fushë Kosovë kërcënon aktivistin e VETËVENDOSJE!-s

Sot, 31.07.2017 rreth ores 11:30, Drejtori i Financavce në Komunën e Fushë Kosovës Ramadan Jashanica ka kërcënuar gjatë seancës së Kuvendit Komunal aktivistin e VETËVENDOSJE!-s Alket Zeqiri i cili po e ndiqte seancën si qytetar.

Kur këshilltarja e VETËVENDOSJE!-s, Trëndelina Duli po diskutonte mbi pikën e rendit të ditës ‘Shqyrtimi i raportit të Auditorit për vitin 2016’, me tone kritikuese për një raport shumë të keq, që nxirrte në pah keqpërdorime dhe material të mjaftushëm edhe për nisjen e hetimeve nga prokuroria, Drejtori i Financave reagon nga fundi i sallës me zë të lartë duke e ndërprerë fjalën e këshilltares tonë e duke i kërkuar Kryesuesit të Kuvendit t’ia ndërprejë fjalën.

Ky reagim i Drejtorit, fyes e jashte çdo norme të mbarëvajtjes së punës së Kuvendit Komunal nxiti aktivistin tonë Alket Zeqiri të kërkojë më shumë rend në Kuvend dhe që të mos i ndërpritet fjala Këshilltares së VETËVENDOSJE!-s në mënyrë tendencioze. Mirepo reagimit të aktivistit tonë Drejtori iu përgjigj me kërcënime duke i thënë “mshele gojën, shihemi ne jashtë, etj.”

Pas disa minutash që gjendja u qetësua dhe seance vazhdoi qetësisht, Drejtori në fjalë përsëri është afruar tek aktivisti Alket Zeqiri duke i kërkuar që të dalë jashtë dhe t’i qerojë hesapet me të. Kjo ka shkaktuar më pas tollovi dhe seance është braktisur nga Këshilltarja e VETËVENDOSJE!-s dhe aktivistët që po e ndiqnin seancën.

Qeverisja e LDK-së në Fushë Kosovë, tash kur e kanë kuptuar se pas 17 viteve të keqpërdorimeve e qeverisjes kriminale u ka ardhur fundi, po mundohen që përmes kërcenimeve t’i luftojnë kundërshtarët politik. Ne i bëjmë ftesë prokurorisë që të fillojë hetime të thella për të gjitha veprimet kriminale të pushtetit te LDK-së në Fushë Kosovë.

Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! Në Fushë Kosovë e dënon veprimin e Drejtorit më të dështuar të komunës së Fushë Kosovës, atij të Financave dhe njëherit i bëjmë me dije që ne nuk do të ndalemi para çfarë do dhune e kërcënimi deri sa t’i largojmë nga uzurpimi i sferës publike keqpërdoruesit e të korruptuarit.

Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! Fushë Kosovë Korrik 2017

the authorE B