Aktuale

Veton Surroi: Ja kush e ka përgjegjësinë për vdekjen e Astrit Deharit

Ndaj vdekjes së Astrit Deharit në burgun e Prizrenit ka reaguar edhe publicisti Veton Surroi.

Ai në një shënim në Facebook ka bërë institucionet për vdekjen e Deharit, raporton Gazeta Blic. Shënimi i plotë:

Vdekja e Astrit Deharit në burgun e Prizrenit tërheq dy përgjegjësi. Një është shtetërore. I riu 26 vjeçar vdiq ndërsa ishte nën përkujdesjen e institucioneve të shtetit, në burgun e Prizrenit. Kohë më parë në burgun e Prizrenit, me bekimin e pushtetit , një i arrestuar kishte rregulluar qelinë e vet sipas shijes vetjake, në mënyrë që aty të jetonte dhe zhvillonte biznes. Shteti në burgjet e të cilit një i burgosur ndërton apartament ndërsa tjetri gjen vdekjen nuk mund të quhet as shtet i sundimit të ligjit e as shtet demokratik. Elitat politike në pushtet mbajnë përgjegjësi të drejtpërdrejtë për këtë. Përgjegjësia e dytë është politike. Astrit Dehari u fut dhe u mbajt në burg sepse kishte bindje të ndryshme politike prej pushtetit. Ai dhe qindra e mija qytetarë të Kosovës u ngritën për ta mbrojtur Kushtetutën e Kosovës në momentin kur pushteti me Marrëveshjet e Brukselit pranoi që disa prej shtyllave kryesore të kësaj Kushtetute të dëmtoheshin në formë të pariparueshme. Pushteti kishte mundësi , me vite të tëra, të përpiqej që të ndërtonte një konsensus politik, një konsensus në të cilin do ta gjenin veten edhe Astrit Dehari dhe qindra e mija qytetarë të Kosovës që ishin kundër Marrëveshjes së Brukselit. Në vend të konsensusit pushteti përdori arrogancën e shpërfilljes dhe forcën e policisë së shtetit. Pushteti tash do të vlerësohet sipas hapave që do të ndërmerr për të treguar se është i gatshëm ta trajtojë përgjegjësinë vetjake, shtetërore dhe politike. Kjo nuk do t’ia kthejë jetën Astrit Deharit. Por do t’i ndihmojë këtij vendi që të mos kthehet tek gogoli që po na përcjell se konflikti politik medoemos duhet të përfundojë në tragjedinë e humbjes së jetës së njeriut.